Kandidatja për kryetare të Komunës së Ferizajt nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sibel Halimi, ka listuar prioritetet që do t’i ketë po qe se fiton në garën për të parin e komunës më 17 tetor.
Halimi në emisionin Zgjedhjet në KOHË - debati për Ferizajn, ka thënë se çështja e ujit dhe kanalizimit është ndër prioritetet që do t’i kenë. Shtoi se qeverisja aktuale e komunës nuk është marrë me interesat e qytetarëve fare.
“Çështja e ujit dhe kanalizimit është prioritet me të cilën ne do merremi sepse nga të gjitha takimet, një prej problemeve kyçe ka dalë të jetë uji i pijshëm e diku edhe kanalizimet. Qeverisja aktuale e PDK-së na ka lënë trashëgimi që ne mos të merremi me ide inovative, por thjesht me çështjet elementare të qytetarëve të Ferizajt. Prandaj kemi këtë gjendje sepse asnjëherë nga qeverisja aktuale, qytetari nuk ka qenë në fokus”, tha ajo.
Halimi ka akuzuar qeverisjen aktuale të Ferizajt me Agim Aliun në krye për intervenime me ekspertizë shumë të ulët në ujë në disa fshatra.
“Domethënë që janë bërë shkarazi, pa një ekspertizë të lartë por vetëm sa për të përfunduar një kërkesë të ardhur nga qytetari”.
Ndërkaq, Halimi ka përmendur se transparenca do të jetë në fokus të një qeverisjeje të re. Sipas saj, është bërë politizim në institucionet komunale të qytetit.
“Kam parë të arsyeshme që të merrem me çështjen e transparencës dhe mundësive të barabarta sepse për shkak të mostransparencës kemi edhe probleme të tjera, si rezultat i një qasje të gabuar të qeverisjes nuk janë marrë me çështjen e qytetarëve dhe plotësimit të nevojave të tyre. Për shkak të mostransparencës kemi një politizim të skajshëm të të gjitha institucioneve komunale të Ferizajt dhe qytetarët kanë mbetur në pozitë të pafavorshme për shkak të punësimit që është bërë në baza partiake”, përfundoi Halimi.