Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dalë në mbështetje të kandidatit të tij për Klinën, Zenun Elezaj. Duke e quajtur njeri të vlerave, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ta votojnë edhe për një mandat. Edhe kandidatë të tjerë të AAK-së kanë vazhduar fushatën e tyre elektorale me premtime për prioritete, si shëndetësia e krijimi i vendeve të reja të punës
Fushatën digjitale dhe pa tubime me qytetarët e ka vazhduar kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai këtë të hënë ka vizituar kandidatin për Klinën, Zenun Elezaj, të cilit i ka ofruar mbështetje.
Haradinaj ka lavdëruar punën e deritanishme të Elezajt dhe ka bërë thirrje për votim të tij edhe për një mandat.
“Me Aleancën, Klina e ka pa dritën, e ka pa punën e njerëzve të mirë dhe vërtet me punën e kryetarit Zenun Elezi po dëshmohet… Sot po ju drejtohem prej këtu që ju të bëni zgjidhjen e duhur më 17 tetor pra të votoni njeriun e dëshmuar, njeriun e vlerave, njeriun tuaj dhe listën e dëshmuar, listën e vlerave të Aleancës me numrin 121”, ka thënë në një video në “Facebook”, Ramush Haradinaj.
E kandidati për Gjilanin, Nazim Gagica, ka premtuar përkrahje për bizneset.
“Garantojmë mbështetje të fuqishme edhe për bizneset e vogla dhe të mëdha, në mënyrë që të rriten dhe të zgjerohen, sepse kjo është forma e vetme përmes së cilës krijohen vende të reja të punës”, ka shkruar Gagica në një postim në “Facebook”.
Vizita në terren ka bërë edhe Hasan Ismajli, kandidat i AAK-së për Komunën e Fushë-Kosovës.
Pasi ka vizituar Qendrën e vaksinimit, ai ka vizituar edhe shkollën në Miradi të Epërme. Ismajli premtoi që do t’i rregullojë edhe punët e fundit të mbetura në këtë shkollë.
Ndërsa Arben Halili, kandidat për Ferizajn, ka krijuar një platformë digjitale për të vazhduar fushatën. Halili qytetarëve të Ferizajt u ka premtuar se do të ndërtojë një shtëpi për pensionistët dhe personat pa mbikëqyrje familjare. Derisa ka premtuar subvencion prej 150 eurosh për çdo fëmijë të lindur, ai ka thënë se një ndër prioritetet e tij është edhe shëndetësia.
“Përmes pakos për shëndetësi, si koncept i sigurt shëndetësor, do të funksionalizohen të gjitha pikat shëndetësore nga mjeku familjar, stomatologu, e deri te stafi i infermierëve, pastaj pajisja me laboratorë dhe laborantë, etj.”.
Halili premton se gjatë mandatit të tij do të angazhohet fuqishëm për përfundimin e ndërtimit të spitalit të qytetit.
E shëndetësinë si prioritet e ka premtuar edhe Bashkim Ramosaj, kandidat për Komunën e Deçanit. Ai ka takuar mjekët e QKMF-së dhe u ka premtuar mbështetje të njëjtë që, sipas tij, ua ka dhënë edhe gjatë 4 vjetëve të kaluar.