Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ LDK-ja premton ujë të pijshëm, kanalizim e infrastrukturë nëpër komuna

Kandidatët për kryetarë të komunave nga Lidhja Demokratike e Kosovës të dielën kanë bërë fushatë kryesisht nëpër fshatra.

Anton Quni, i cili po synon që të marrë postin e kryetarit të Prizrenit, ka vizituar Velezhën dhe disa fshatra përreth për të cilat ai tha se janë lënë pas dore pa asnjë investim.

Aty Quni i dha disa zotime.

“Do të ndreqim çfarë kanë shkatërruar e do të ndërtojmë çfarë nuk kanë ndërtuar, u zotova sot, e zotohem çdo ditë se do ta bëjmë Komunën e Prizrenit lidere në ofrimin e shërbimeve dhe përmbushjen e premtimeve”.

Takime me qytetarë por të mbyllura nga mediat kanë zhvilluar edhe kandidatët e tjerë të kësaj partie.

Ilir Ferati, kandidat për kryetar të Istogut ka zhvilluar fushatë në fshatin Zabllaq të kësaj komune, ku ka thënë se është diskutuar për të ardhmen e Istogut.

Në agjendën e takimeve nëpër fshatra, kandidati për Malishevën, Bajrush Hoti, ka vizituar Astrazupin. Hoti para banorëve ka premtuar furnizim me ujë të pijshëm, trajtim të ujërave të zeza e infrastrukturë rrugore.

E kandidati i për kryetar të Gjakovës, Teki Shala, është takuar me banorët e lagjes Marosh të Demjanit.

Por, takimi me ta është bërë brenda një restoranti ku 12 persona kanë qëndruar në një tavolinë, pa distancë fizike e në kundërshtim me masat anti-COVID.

Nga fushata e LDK-së në Gjilan, të dielën ka vazhduar prezantimi i kandidatëve për asamble, të cilët nëpërmjet videove kanë shpalosur atë që ofrojnë për këto zgjedhje.

“Si përfaqësuese e juaja do të angazhohem fuqishëm për projektet për të rinjtë për përfaqësimin e tyre në politikëbërje”.

“Janë ndërtuar 10 kilometra rrugë e rrugica të reja, infrastrukturë përcjellëse nëntokësore. Në mandatin e ri të Lutfi Hazirit, në përputhje me kërkesat dhe nevojat tuaja do të jetësohen edhe projekte të tjera me standard evropiane.

Nëpërmjet rrjeteve sociale edhe kandidatë të tjerë për kryetar kanë prezantuar ekipet e tyre.