Oborri i shtëpisë së kulturës në Malishevë, ishte vendi nga ku Nisma Socialdemokrate ka nisur zyrtarisht fushatën zgjedhore në këtë komunë.
Vonesa e liderit të partisë, Fatmir Limaj, shërbeu që aktivistët e të ftuarit të bënin përgatitjet e fundit.
Në njërën karrige ishte vendosur edhe një kuti me maska, por jo të gjithë pjesëmarrësit kujtoheshin që maska është obligim edhe në ambiente të hapura.
Nuk mungoi as kryetari aktual i Malishevës, e që është nga Nisma, Ragip Begaj.
E duartrokitjet ishin të pashmangshme, kur pas më shumë se 30 minutash vonesë erdhi Fatmir Limaj së bashku me kandidatin e për kryetar të Malishevës, Ekrem Kastrati.
Ai duke i dhënë lëvdata kryetarit aktual, ka shpalosur disa nga pikat e programit të tij, duke shpjeguar edhe domethënien e sloganit të tyre.
Fatmir Limaj ka thënë se Malisheva ka ndryshuar me qeverisjen nga partia e tij. Ka shtuar se Malisheva është komuna që më së miri e ka menaxhuar pandeminë.
Limaj nuk la pa e përmendur as kohën e luftës në Kosovë e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë aktivitet janë prezantuar edhe mbi 30 kandidatët për asamblenë komunale për Komunën e Malishevës.