Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ PDK-ja merret me gjobat e pandemisë

Partia Demokratike e Kosovës të shtunën e hapi zyrtarisht fushatën në qytetin e Gjilanit.

Kandidatja për kryetare në këtë komunë, Leonora Bunjaku, ka prezantuar listën e kandidatëve për asamble komunale.

Bunjaku, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se do të orientohet në 4 fusha kryesore: Në mirëqenie sociale, shërbime shëndetësore, ofrim të stafit mbështetës në shkolla, si dhe intervenim në ekonominë lokale.

Ndërkaq, në Komunën e Vushtrrisë, kandidati për kryetar i kësaj partie, Ferit Idrizi, u ka premtuar bizneseve të gastronomisë se do të bëjë përpjekje për faljen e gjobave të shqiptuara gjatë kohës së pandemisë.

“Unë kam paraparë që në mandatin tim 4-vjeçar, biznesi i gastronomisë nuk do të paguajë për shfrytëzimin e hapësirave publike për vendosjen e tarracave. Mbetem i përkushtuar që këtë sektor ta mbështes edhe me subvencione, por dhe do të bëj çfarë është e mundur që ndëshkimet që u janë shqiptuar gjatë pandemisë të falen”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Uran Ismaili, kandidat i PDK-së në Prishtinë, përmes një postimi në Facebook, ka premtuar lëndë të kodimit, pajisje digjitale e internet nëpër shkolla.

E kryetari aktual i komunës së Shtimes, Naim Ismaili, ka premtuar rregullimin e një fushe futbolli, terrene sportive dhe vend-parkingje.

Fushatën nëpër lagje e fshatra të qytetit e kanë vazhduar edhe Shaqir Totaj në Prizren e Bedri Hamza në Mitrovicë.