Aktorja Zendaya është përfshirë në një debat kulturor pasi mbajti një palë vathë me origjinë nga artefakte të lashta iraniane gjatë turneut promovues të filmit të ri “The Odyssey” të regjisorit Christopher Nolan, ka shkruar The Guardian.
Në një ngjarje në Londër, Zendaya, e cila interpreton perëndeshën Athena në film, mbante vathë prej ari që datojnë rreth 700 vjet para erës sonë. Bizhuteritë lidhen me të ashtuquajturin thesarin e Ziwiye, koleksion objektesh të lashta të zbuluara në veriperëndim të Iranit në vitet 1940.
Vendimi për përdorimin e tyre ka shkaktuar reagime të forta nga arkeologë dhe historianë, të cilët kritikuan shfaqjen e objekteve me rëndësi të madhe kulturore si aksesorë mode për promovimin e një filmi hollivudian.
Historiania e artit me origjinë iraniane, profesoresha Sussan Babaie, e ka quajtur shqetësuese situatën.
“Është tronditëse të shohësh që askush nuk mendoi se ndoshta kjo nuk ishte një ide e mirë”, ka thënë ajo.
Edhe
Prapaskenat e “The Odyssey”: Nga Homeri tek iso-polifonia shqiptare
Babaie ka shtuar se këto objekte nuk duhet të trajtohen thjesht si stoli.
“Këto janë objekte që nuk janë krijuar për t’u shfaqur si aksesorë. Ato janë trashëgimi njerëzore, trashëgimi botërore, jo thjesht stoli”, ka thënë profesoresha.
Sipas saj, përdorimi i tyre në këtë mënyrë ua heq kuptimin historik dhe shpirtëror.
“Është një përvetësim dhe thjeshtim i kontributeve kulturore të Iranit ndaj njerëzimit”, ka thënë ajo.
Vathët i përkasin galerisë “Barron London”, e cila deklaroi se objektet janë ruajtur në përputhje me dokumentacionin e origjinës dhe kërkesat ligjore. Galeria ka thënë se qëllimi i huazimit nuk ishte komercial, por të nderonte mjeshtërinë e jashtëzakonshme të argjendarëve të lashtë persë dhe të nxiste vlerësimin për një nga traditat më të mëdha artistike në botë.
Thesari i Ziwiyet përfshinte objekte prej ari, argjendi, bronzi dhe terrakote. Shumë prej tyre u grabitën pas zbulimit dhe më vonë u shitën në tregjet e antikuarëve jashtë Iranit, duke përfunduar në muze dhe koleksione private në vende të ndryshme.
Arkeologia Annelise Baer ka thënë se problemi kryesor etik lidhet me faktin se disa prej këtyre objekteve kanë një histori të ndërlikuar origjine.
“Çështja kryesore është se vetë vathët janë të lidhur me antikitete të grabitura. Fakti që Zendaya i mbajti ato është dytësor, por paraqitja e tyre në një premierë të madhe ndërkombëtare i solli këtë çështje në vëmendjen e publikut”, ka thënë ajo.
Edhe
Zendaya mezi pret ta shohë “The Odyssey”: Do të ketë skena që nuk janë bërë kurrë më parë
Debati vjen në një kohë kur shumë institucione perëndimore po përballen me kërkesa për kthimin e objekteve të lashta të marra nga vende të tjera, përfshirë Muzeun Britanik dhe koleksione të ndryshme historike.
Ndërkohë, vetë filmi “The Odyssey” është përballur edhe me një tjetër polemikë, pasi disa kineastë nga Sahara Perëndimore kanë bërë thirrje për bojkot për shkak të përdorimit të qytetit Dakhla, një zonë nën kontrollin e Marokut, si vend xhirimi.