Lifestyle

Zbulohet krimbi i vogël me antibiotik të ri që mund të ndihmojë kundër superbaktereve

Foto: Matthew Modoono / Northeastern University

Derisa lufta kundër superbaktereve rezistente ndaj antibiotikëve po vazhdon të bëhet më e ashpër, shkencëtarët mund ta kenë gjetur një armë të re për t’i trajtuar disa nga superbakteret më të këqija, të cilat i njohim: një antibiotik të ri të quajtur darobaktinë, e cila është në gjendje t’i luftojë bakteret gram-negative.

Mirëpo për ta gjetur darobaktinën u nevojit kohë, përgjatë dy vjetëve të hulumtimit - përbërësi antibiotik u zbulua në bakterin Photorhabdus, i cili jeton brenda zorrës së krimbave të vegjël parazitikë të njohur si nematode.

Shpresohet që darobaktina mund të zhvillohet në diçka të përshtatshme për njerëzit - hera e parë që një kërcim i tillë do të ishte bërë nga një mikrobiomë kafshësh - dhe të na japë mundësi të reja për t’i luftuar bakteret që kanë zhvilluar rezistencë ndaj antibiotikëve.

Ajo që i bën bakteret gram-negative aq kokëforta është membrana e jashtme që e zhvillojnë këto qeliza, e cila vepron si një pengesë shtesë kundër çdo lloj sulmi. Darobaktina është e veçantë në faktin që e tejkalon këtë pengesë duke ndërhyrë në proteinën BamA, e cila e kontrollon qasjen në membranën e jashtme.

“Darobaktina lidhet me këtë proteinë [BamA] dhe e bllokon atë, kështu që nuk mund të hapet më”, thotë mikrobiologia molekulare Kim Lewis, nga Northeastern University në Massachusetts. “Bakteret nuk mund ta ndërtojnë një zarf qelizor adekuat dhe kjo shkakton vdekjen.”

Në eksperimentet laboratorike antibiotiku i ri ishte në gjendje t’i shëronte minjtë me infeksionet e rrezikshme Escherichia coli dhe Klebsiella pneumoniae, pa asnjë efekt anësor toksik, shkruan Koha Ditore. Përgatitja e darobaktinës për njerëzit pa dyshim që do të zgjasë shumë, por ky është një fillim premtues.

Studiuesit identifikuan nematodën si një bartës të mundshëm për një antibiotik efektiv për shkak të mënyrës se si ushqehen këta krimba me insektet, duke i targetuar larvat e tyre dhe duke i lëshuar bakteret të cilat më pas duhet t’i luftojnë patogjenët e ngjashme me ato brenda zorrës së njeriut.

Dhe kjo e bën darobaktinën një kandidat premtues për përdorim njerëzor - edhe në qoftë se antibiotikët e mikrobiomit të kafshëve nuk kanë qenë të suksesshme tek njerëzit më parë, Photorhabdus ka evoluar gjatë 370 milionë vjetëve për t’i mbrojtur bakteret gram-negative.

Çfarëdo ndihme që mund ta marrim nga darobaktina, ne kemi nevojë për të sa më shpejt që të jetë e mundur. Bakteret gram-negative janë në krye të një liste të “patogjenëve prioritarë” që paraqesin kërcënimin më të madh për jetën e njeriut tani.

E gjithë kjo shkon kundër sfondit të një problemi më të gjerë të rezistencës ndaj antibiotikëve – bakteret në thelb po zhvillojnë mbrojtje më shpejt seç ne mund të zhvillojmë ilaçe për t'i shënjestruar ato. Rreth 700.000 njerëz vlerësohet se vdesin nga infeksione rezistente ndaj ilaçeve çdo vit, dhe kjo mund të rritet në shumë miliona në vitet në vazhdim.

Akoma nuk kemi dalë “jashtë tunelit” kur bëhet fjalë për bakteret gram-rezistente ndaj ilaçeve, por mund ta kemi një dritë në fund të tunelit - hulumtuesit e përshkruajnë këtë si “një tjetër goditje drejt golit” për trajtimin e superbaktereve.

“Po na mbarojnë antibiotikët”, thotë Lewis. “Duhet të kërkojmë përbërës të rinj pa rezistencë paraekzistuese në klinikë apo popullatë.”

Hulumtimi është publikuar në “Nature”.