Lifestyle

Vogue do më pak zhurmë e më shumë identitet në trendet e modës të vitit 2026

Koleksioni Pranverë/Verë 2026 i brendit “Loewe”, prezantuar në Paris, më 3 Tetor 2025.

Koleksioni Pranverë/Verë 2026 i brendit “Loewe”, prezantuar në Paris, më 3 Tetor 2025.

Foto: Associated Press

Ndërkohë që modën e vitit 2025 e kanë karakterizuar trende të buta me energji nostalgjike me prerje e mënyra moderne të veshjes, në vitin 2026 do të vijnë në pah dukje edhe më të rehatshme.

Gjatë këtij viti nëpër pasarela e në stil të rrugës janë parë shumë dantella në bluza të thjeshta të kombinuara me veshje të lëshuara si pantollonat e fundet e gjera, që kryesisht janë dekoruar me fjongo.

Ngjyrat më në trend ishin rozë, kafe dhe vishnje, kurse këpucët më të popullarizuara ishin këpucët rrafshe, këpucët me rrip në mes të stilit “Mary Jane” dhe sandalet me platformë.

Megjithatë, jo çdo trend që shpërthen në rrjetet sociale apo vishet nga të famshmit është diçka që u përshtatet njerëzve në jetën e përditshme. Përkundrazi.

Është vënë re se pavarësisht përpjekjeve për të promovuar silueta, ngjyra dhe aksesorë me shije, shpesh janë algoritmet dhe paraqitjet strategjike të yjeve ato që diktojnë çfarë bëhet virale.

Por kjo gjë nuk e ndalon askënd të ëndërrojë, as disenjatorët, as stilistët, e as të famshmit që i promovojnë veshjet e tyre.

Në prag të vitit 2026, stafi i prestigjiozes Vogue ka ndarë këndvështrimet e veta për trendët që do të dominojnë.

Gazetarja e kësaj reviste, Hannah Jackson ka shkruar se sipas shefave të saj, trendët e vitit të ri duhet të jenë më elegante, më të menduara dhe më pak të zhurmshme.

Kapelet “pillbox”

Siç na e kujtoi aktorja e famshme Pamela Anderson më herët këtë vit, kapelja e vogël “pillbox”, ajo që e pati futur në trend ish-zonja e parë e SHBA-së, Jackie Kennedy, nuk u përket vetëm monarkëve apo zonjave të para.

Ani pse kapelat e thurura kanë dominuar së fundmi, redaktorët e Vogues do të donin që kjo kapelë klasike dhe femërore të rikthehej fuqishëm në vitin 2026.

“Është aksesor që menjëherë i jep finesë pamjes, pa u përpjekur shumë”, kanë sugjeruar ata.

Doreza për përditshmëri

Redaktorët e Vogues nuk mendojnë që dorëzat janë vetëm për raste speciale.

Në pasarelën pranverë 2026 të brendit të njohur “Prada”, disenjatorja Miuccia Prada ka treguar se dorëzat mund të jenë deklaratë stili, ndërsa aktivistja e komediania, Hannah Einbinder e solli këtë ide në jetën reale me një veshje të plotë nga brendit “Khaite”.

Një palë dorëza lëkure me ngjyra, që shkojnë deri mbi bërryl, janë njëfarë mënyre argëtuese për ta ngritur çdo veshje në nivel tjetër, dhe, si bonus, “do t’ju mbajnë larg telefonit”, shkruajnë redaktorët, me pak ironi.

Çizmet me lidhëse

Moda viktoriane me nuanca misterioze është trend në rritje, dhe bashkë me të edhe dëshira për rikthimin e çizmeve me lidhëse.

Këngëtarja Lady Gaga dhe aktorja Anya Taylor-Joy e përqafuan këtë stil gjatë vitit 2025, ndërsa disenjatori Seán McGirr, drejtor kreativ i brendit Alexander McQueen i çoi ato çizme edhe në pasarelë.

Sipas Vogue, kjo është estetikë që bashkon dramatiken me elegancën dhe i jep forcë çdo siluete.

Vjollca e fuqishme

E verdha “butter”, e gjelbra “brat”, e kuqja domate, roza “Barbie”, janë ngjyra që janë përdorur shumë kohët e fundit. Ani pse instituti i ngjyrave “Pantone”, si ngjyrë të vitit 2026 e ka shpallur një nuancë të ngjyrës së bardhë, që e ka emërtuar “Cloud Dancer”, shumica e redaktorëve të Vogues po thonë se shpresojnë që vjollca e thellë dhe e ftohtë të ketë momentin e saj të artë gjatë vitit të ri.

“Është një ngjyrë që transmeton forcë, mister dhe luks”, sugjerojnë redaktorët.

Broshet

Pasi qafat e mbushura me varëse dominuese sunduan vitin 2025, tani është koha që broshet të rikthehen. Ato mund të gjallërojnë një këmishë apo një xhemper, si në pasarelën e brendit të njohur francez, “Chanel”, ose të vendosen në qendër të qafës, ashtu siç ka bërë Taylor-Joy.

Vogue broshin po e konsideron si detaj të vogël, por me shumë ndikim.

Krehrat për flokë, por që përdorën si kapëse, si ata të vjetrit

Lëreni kapësen klasike në shtëpi, viti 2026, sipas Vogue, është për krehra.

Brendi “The Row” ka shkaktuar entuziazëm në redaksi kur prezantoi koleksionin e fundit para vjeshtor, me krehra të futur në topuzë elegante.

Nëse flokët e lejojnë, ky është një trend që ia vlen të provohet.

Çanta pa aksesorë me varëse 

Më shumë se një trend i ri, kjo është një kërkesë për të hequr dorë nga zakoni për të varur nëpër çanta kukullën e vogël, me të përfolurën, trendin e aksesorëve që karakterizoi 2025-tën, Labubu.

Vitet e fundit, varëset e çantave janë bërë si sinonim për “personalitet”.

Por redaktorët e Vogues janë të prerë: “Ju lutem, mjaft me zbukurime pa shpirt në vitin 2026”.

Në vend të tyre, ata sugjerojnë çanta që kanë karakter vetë, si ato të brendit “Chloé” apo ato me thurjen ikonike të brendit “Bottega Veneta”.