Një studim i kohëve të fundit i publikuar në revistën PLOS One ka treguar se njerëzit vlerësojnë çuditërisht keq se kush janë shokët e tyre të vërtetë.
Vetëm gjysma e miqësive janë të dyanshme. Për ta kuptuar se si njerëzit përgjithësisht e perceptojnë miqësinë, shkencëtarët u desh ta bënin një studim dhe ta zbatonin atë në 84 persona.
Ata kërkuan nga të anketuarit që nga zeroja deri në pesë t’i vlerësojnë studentët që studiojnë me ta, ku zero do të thotë “nuk e njoh atë person”, tre nënkupton “mik” dhe pesë “ky është një nga miqtë e mi më të mirë”, transmeton Koha.net. Ata gjithashtu duhej të vlerësonin se si njerëzit e tjerë i vlerësonin ata.
94% e të anketuarve kishin pritshmëri se njerëzit që ata i identifikuan si “miq” do ta bënin të njëjtën gjë. Por shkencëtarët zbuluan se pothuajse gjysma e miqësive nuk ishin fare të ndërsjella.
Edhe pse bëhet fjalë për një studim të vogël, rezultatet përputhen me një studim më të vjetër nga viti 2011, i cili ka treguar se vetëm 45% e miqësive janë të dyanshme, ndërsa një studim nga viti 2005 konstatoi se 34% e miqve e ndiejnë të njëjtën për njëri-tjetrin.
Kush janë miqtë tanë të vërtetë? “Njerëzit nuk duan në të vërtetë të dëgjojnë se dikush për të cilin janë të bindur se është miku i tyre - nuk e mendon të njëjtën gjë për ta”, tha një nga autorët e studimit, Alex Pentland.
Sipas tij, kjo pamundësi e të kuptuarit se kush është miku ynë i vërtetë dhe kush nuk është, mund të jetë e lidhur me faktin se të gjithë e definojmë ndryshe miqësinë, përcjell Koha.net. Gjithashtu, njerëzit e statusit më të ulët social përpiqen që ata të cilët janë të një statusi më të lartë shoqëror t’i mbajnë për miq prandaj edhe sillen në mënyra që e indikojnë miqësinë (p.sh.. i thërrasin miq).
Në fund gjithmonë është e rëndësishme cilësia e miqësisë dhe jo numri i miqve që i kemi.