Është shumë e lehtë të rifillohet një marrëdhënie miqësie përmes rrjeteve sociale. Por kjo nuk do të thotë që gjithmonë duhet ta bësh, pa i bërë vetes fillimisht disa pyetje.
Pyetje të tilla si “çfarë ka shkuar keq”, “a ndihesh ende nervoz kur mendon për personin në fjalë”, si dhe “a ka vërtetë rëndësi kjo miqësi për të dyja palët”, janë disa nga më të rëndësishmet për t’ia bërë vetes, në mënyrë që ta dish se a duhet riparuar marrëdhënia apo jo, ka shkruar The Washington Post.
Një studim i vitit 2024 ka zbuluar se ribashkimi me miq të vjetër mund të jetë po aq i vështirë sa krijimi i miqësive të reja, dhe ndonjëherë edhe më shumë. Ajo ndjesia ngushëlluese se e njeh dikë që në moshë të hershme, mund të jetë kurth, pasi njerëzit ndryshojnë me kalimin e kohës.
“Miqësitë simbolizojnë shpesh një periudhë specifike jete. Të lësh diçka pas krahëve mund të të ndihmojë të kuptosh ku ndodhesh tani”, ka thënë Naama Hofman, psikiatre në Icahn School of Medicine në New York.
Ajo ka thënë se pyetja më e rëndësishme nuk është “çfarë shkoi keq kur u prish lidhja”, por “çfarë mund të fitosh duke e rikthyer atë lidhje miqësie”.
Sipas saj miqësitë nuk janë gjithmonë të përjetshme.
“Kur kalojmë periudha ndryshimi, vlerat dhe prioritetet tona ndryshojnë, po ashtu edhe miqësitë. Të rinjtë e shfrytëzojnë miqësinë për të marrë informacion e për t’u angazhuar në botë, kurse më vonë në jetë mund të përqendrohemi tek ata që na kuptojnë më mirë”, ka thënë ajo.
Edhe pse humbja e disa miqësive është e pashmangshme, këto momente mund të jenë mundësi për të menduar se çfarë lloj miqësish dëshiron të kesh.
“Më herët në jetë, mund të mos kishe mundësi të krijoje marrëdhëniet që doje, por tani ndoshta mundesh”, ka shtuar Hofman.
Çfarë duhet të kesh parasysh?
Psikologia klinike Claudia Diez ka theksuar rëndësinë e të zgjedhurit me vetëdije.
“Edhe nëse ata kanë kërkuar falje, është në rregull të vendosësh që tani nuk të shërben më ta kthesh atë mik apo mike”, ka thënë ajo.
Rreziku që një mik i dikurshëm mund të sjellë pasiguri dhe konfuzion mbetet.
“Vendimi për të mos u rilidhur mund të jetë edhe fuqizues”, ka shtuar Diez.
Nëse vendos ta kontaktosh përsëri, duhet të reflektosh me pyetjen “pse u larguat?”, a ishte një konflikt momental, një veprim konkret, apo ndryshime më të thella në vlera dhe karakter.
Sipas psikologes kjo mund të ndihmojë të kuptosh mësimet dhe të qartësohesh për atë që dëshiron tani.
Ajo ka rekomanduar që të mos merret si i mirëqenë fakti që mund të vazhdoni aty ku e latë, pa pasur një takim ballë për ballë e të sinqertë me diskutim për të kaluarën.
Disa pyetje që mund t'ia bësh vetes:
A ndihesh nervoz ose në gjendje alarmi kur mendon për këtë mik?
Nëse ndodh kjo, është një flamur i kuq që duhet parë dhe analizuar.
A është vërtet i/e interesuar për ty si person sot?
Miqësia e mirë ka respekt të ndërsjellë.
A ndihesh i/e nënvlerësuar ose i/e gjykuar nga ky mik?
Nënçmimi nuk ka vend në asnjë marrëdhënie të shëndetshme.
A ndihesh që raporti është i balancuar?
Miqësitë e mira kanë një ritëm që funksionon për të dy palët.
Autorja e tekstit ndau edhe një histori personale: mikun e saj të vjetër, që e kishte larguar sepse gruaja e tij ndihej e kërcënuar nga statusi i saj si grua e divorcuar.
“Në atë kohë, humbja e mikut më të mirë, ndërkohë që po përjetoja fundin e martesës, më dukej si goditje mizore. Por tani ai është i gatshëm të riparojë marrëdhënien”, shkruan ajo ndërkohë që ka cekur se kishte harruar se sa shumë qeshte me të.
Në të njëjtën kohë, autorja ndien emocionin për mundësinë e ndërtimit të diçkaje më të thellë si të rritur në të pesëdhjetat.
“Dhimbja dhe tradhtia e dikurshme nuk janë zhdukur krejt, por tani janë thjesht pjesë e një historie të përbashkët mbi të cilën po ndërtojmë diçka të re”, ka shkruar ndër të tjera ajo.