Lifestyle

Vendet e kamura në garë për remdesivirin

Zolgensma, një ilaç gjenetik për trajtimin e atrofisë muskulare të palcës kurrizore te fëmijët nën moshën dyvjeçare, tani është e qasshme në Gjermani.

Sidoqoftë, një trajtim i vetëm me ilaçin, i cili prodhohet nga kompania zvicerane farmaceutike “Novartis”, pason një çmim marramendës prej 1.9 milionë eurosh.

Prodhuesi argumenton se ky është një çmim i arsyeshëm, duke e pasur parasysh faktin se pa të, trajtimi jetësor për sëmundjen degjenerative sillet midis 2.5 dhe 4 milionë eurosh.

“Gilead Sciences”, i cili ka zhvilluar remdesivirin, e përdor një argument të ngjashëm, duke pretenduar se ilaçi që konsiderohet si ndër më premtuesit në betejën kundër COVID-19, mund të kursejë para në aspektin afatgjatë, transmeton KOHA shkrimin e DW.

Në një letër të hapur adresuar në fillim të javës, Daniel O’Day, shef dhe drejtor ekzekutiv i “Gilead”, ka shkruar: “Duke i marrë si shembull Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lirimet më të hershme nga spitali do të rezultonin me kursime spitalore prej përafërsisht 12.000 dollarësh për pacient. Me t’i pasur parasysh këto kursime të menjëhershme vetëm në sistemin e përkujdesjes shëndetësore, mund ta shohim vlerën potenciale që e ofron remdesiviri”.

“Kemi vendosur që remdesivirit t’ia vëmë një çmim shumë më të ulët sesa vlera reale”, ka vazhduar ai. “Për të siguruar qasje të gjerë dhe të barabartë në kohën e nevojave urgjente globale, qeverive të vendeve të zhvilluara ua kemi caktuar një çmim prej 390 dollarësh për një shishe. Bazuar në modelet aktuale të trajtimit, pjesa më e madhe e pacientëve pritet që t’i nënshtrohen një shtegu trajtimi pesëditor me 6 shishe remdesiviri, që i bie rreth 2.340 dollarë për pacient”.

Cili është çmimi i arsyeshëm?

Megjithëkëtë, redaktori i revistës shkencore gjermane “ArzneiTelegramm”, Wolfgang Becker-Brüser, nuk është i bindur.

Ai konsideron se kalkulimi i çmimit të trajtimit të COVID-19 pa remdesivirin është bërë në mënyrë rastësore.

“Është duke u bërë përpjekje që të lihet përshtypja se çmimi është i arsyeshëm”, ka thënë ai. “Sidoqoftë, po të mos ishte pandemia dhe vëmendja kaq e madhe e publikut, çmimi do të ishte shumë më i lartë”.

Shoqata e Kompanive Kërkimore Farmaceutike (VFA), ka refuzuar të komentojë. “VFA-ja nuk komenton rreth skemës së çmimeve të kompanive individuale”, thuhet në një deklaratë të shkurtër të shoqatës.