Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Barnat me kosto mbi 100 mijë euro me efekt të dobët kundër Alzheimerit

Alzheimer

Alzheimer

Foto: Associated Press

Një analizë e re ka ngritur dyshime serioze mbi efektivitetin e barnave të reja për sëmundjen e Alzheimerit, të cilat shpesh janë prezantuar si “përparim i madh” në trajtim, ka shkruar BBC.

Sipas raportit, këto barna, që kushtojnë deri në 90 mijë funte britanike (mbi 100 mijë euro) për një trajtim 18-mujor, kanë efekt shumë më të vogël nga sa nevojitet për të bërë një ndryshim real në jetën e pacientëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Aktualisht, sistemi shëndetësor britanik (NHS) nuk i mbulon këto trajtime, çka i bën të paarritshme për shumicën e njerëzve.

Si funksionojnë këto barna?

Barnat si donanemab dhe lecanemab synojnë të largojnë një substancë të quajtur “beta-amiloid”, që grumbullohet në tru dhe lidhet me zhvillimin e sëmundjes.

Këto ilaçe përdorin antitrupa, të ngjashëm me ata që trupi prodhon për të luftuar infeksionet, për të identifikuar dhe pastruar këtë proteinë nga truri.

Studimet e fundit kanë treguar se ato mund të ngadalësojnë rënien e kujtesës dhe funksioneve mendore. Ky konsiderohej një moment i rëndësishëm, pasi për herë të parë një trajtim arrinte të ngadalësonte dëmtimin e trurit nga Alzheimeri.

Çka thotë analiza e re?

Organizata Cochrane Collaboration ka analizuar 17 studime me mbi 20 mijë pacientë.

Përfundimi i tyre ishte i qartë: trajtimet e ngadalësojnë sëmundjen, por jo aq sa të kenë ndikim të dukshëm në jetën e përditshme të pacientëve.

Përveç kësaj, barnat shoqërohen me rreziqe si ënjtje dhe gjakderdhje në tru, kërkojnë trajtim çdo 2-4 javë dhe kanë kosto shumë të lartë.

“Do t’u thosha pacientëve se ka shumë gjasa të mos përfitojnë nga këto barna dhe se ato janë një barrë për ta dhe familjen e tyre. Është shumë e rëndësishme të jemi të sinqertë dhe të mos u japim shpresa të rreme”, ka thënë Edo Richard, njëri nga autorët e raportit.

Ai ka shtuar se duhet të studiohen metoda të tjera trajtimi, si ato që synojnë inflamacionin në tru.

Debat i fortë mes ekspertëve

Raporti është mbështetur nga disa kritikë të hershëm të këtyre barnave.

“Është e padrejtë për familjet që këto barna janë promovuar më shumë sesa e mbështet shkenca, duke krijuar shpresa të rreme”, ka thënë Robert Howard nga University College London

Por jo të gjithë janë dakord.

Bart De Strooper thotë se analiza ka probleme serioze.

“Ky raport nuk e qartëson evidencën, por e mjegullon atë. Problemi është themelor”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk është e drejtë të krahasohen barnat e vjetra që kanë dështuar me ato më të reja që kanë treguar disa përfitime, edhe pse modeste.

Ndërsa Richard Oakley ka theksuar se “duhet ta interpretojmë këtë analizë me kujdes dhe të mos rrëzojmë dekada kërkimesh shkencore me një goditje të vetme”.

Çka do të thotë kjo për pacientët?

Aktualisht, këto barna mund të merren vetëm privatisht në Britnai.

Ndërkohë, National Institute for Health and Care Excellence po rishikon sërish provat shkencore për të vendosur nëse do t’i përfshijë në sistemin publik.