Lifestyle

Ushqimet që zgjasin përtej afatit të caktuar të përdorimit

Edhe pse shitësit janë të detyruar t’i largojnë nga shitja produktet e skaduara, blerësit me siguri mund t’i përdorin disa prej tyre edhe disa muaj pas datës së cekur në paketim.

Shumë njerëz nuk e dinë që data në disa produkte nuk është në fakt afati i tyre. Këto data janë vetëm udhëzime për disa produkte, por ato nuk janë strikte dhe jo të gjitha duhet të ndiqen verbërisht, veçanërisht kur bëhet fjalë për disa ushqime të caktuara, shkruan “Insider.com”.

Këto data tregojnë më shumë për cilësinë e ushqimit sesa sigurinë e tij. Shitësit duhet të kenë kujdes në to dhe t’i shesin ushqimet brenda afatit në të cilin ato e kanë cilësinë më të mirë, por te produktet e mëposhtme, lirisht mund t’i injoroni numrat që shkruajnë në paketim.

1) Pastat e thata

Pastat e thata mund ta ruajnë cilësinë e tyre për një deri në dy vjet më gjatë sesa thuhet në qesen e tyre. Por, mos e aplikoni këtë në pastat e tjera - ato të ngrira mund të zgjasin vetëm katër deri në pesë ditë më shumë sesa shkruan. Pavarësisht nëse janë të ngrira ose të thata, pastat në frigorifer mund ta ruajnë cilësinë për shtatë ditë, ndërsa në friz mund të mbahen për gjashtë deri në tetë muaj.

2) Vezët

Pavarësisht se çfarë shkruan në paketim, vezët mund t’i përdorni tri deri në pesë javë më gjatë se data e shkruar. Megjithatë, sa më të freskëta që janë, aq më të shijshme janë, prandaj më mirë është t’i përdorni sa më parë. Vezët e ziera fort mund të zgjasin deri në shtatë ditë në frigorifer, shkruan Koha Ditore.

3) Mishi

Të gjitha llojet e mishit mund të zgjasin shumë më gjatë nëse i ngrini ato. Mishi i grirë i ngrirë mund ta ruajë cilësinë pas tre deri në katër muajsh, ndërsa mishi i pulës dhe gjeldetit mund të qëndrojnë në frigorifer deri në një vit. Sa i përket peshkut, ai e ruan cilësinë për gjashtë deri në nëntë muaj nëse është i ngrirë. Tuna e konservuar mund të zgjasë dy deri në pesë vjet më shumë se jetëgjatësia e specifikuar, por vetëm nëse nuk është e hapur.

4) Djathi

Të gjitha djathërat zakonisht zgjasin më shumë se afati i shkruar. Edhe nëse në to shfaqet myk në një vend, kjo pjesë mund të pritet, ndërsa pjesa tjetër është e sigurt për t’u ngrënë nëse nuk ka erë të keqe. Nëse djathi mban erë njësoj sikurse kur e keni blerë, është mjaft i sigurt për t’u ngrënë.

5) Qumështi

Qumështi mund ta ruajë cilësinë deri në pesë ditë më shumë sesa që shkruan në paketim. Kjo varet nga sasia e yndyrës në të. Qumështi me pak yndyrë mund ta tejkalojë afatin deri në shtatë deri në 10 ditë, ndërsa ai me shumë yndyrë e tejkalon për pesë deri në shtatë ditë. Qumështin e prishur do ta njihni nga prania e kokrrizave dhe erës së thartë.

6) Ushqimi i konservuar

Shumica e ushqimeve të konservuara, nëse konserva nuk është hapur, mund të zgjasin dukshëm më shumë se afati i përdorimit. Me përjashtim të domateve dhe ananasit, të cilat përmbajnë sasi të larta të acideve, perimet e konservuara dhe disa supa të konservuara mund të hahen me siguri një vit ose dy pas datës së skadimit të tyre. Mishi i konservuar zgjat më shumë - nga tre deri në pesë vjet.

7) Frutat dhe perimet e ngrira

Frutat dhe perimet e ngrira të pahapura gjithashtu mund të përdoren tetë deri në 10 muaj pas datës së skadimit.

8) Jogurti

Jogurti i pahapur, i ruajtur në frigorifer, mund të jetë i mirë për t’u pirë dy deri në tri javë pas afatit të shtypur. Nëse e ngrini, mund të përdoret pas dy muajsh.

9) Buka

Buka e prerë mund ta ruajë cilësinë e saj tri deri në katër ditë pas afatit të përdorimit, nëse mbahet në frigorifer. Nëse nuk ka myk, ajo mund të hahet, por nëse vetëm një copë është prishur, hidheni tërë bukën.

10) Keçapi dhe mustarda

Paketimet e pahapura të keçapit janë të mira për përdorim deri në gjashtë muaj pas skadimit të tyre, ndërsa mustarda, edhe nëse është e hapur, nëse është në frigorifer, mund të zgjasë deri në një vit më gjatë sesa që shkruan në paketim.