Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Të pavaksinuarit janë “fabrikë variantesh” të COVID-19

Njerëzit e pavaksinuar kundër koronavirusit do të rrezikojnë jo vetëm shëndetin e tyre por edhe të tjerëve, thonë specialistët shëndetësorë.

Sipas tyre, i vetmi burim i varianteve të reja të virusit është trupi i një personi të infektuar.

“Njerëzit e pavaksinuar janë prodhues potencialë të varianteve”, është shprehur Dr.William Schaffner, profesor në Divizionin e Sëmundjeve Infektive në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt.

“Sa më shumë njerëz të pavaksinuar që të ketë, aq më shumë janë mundësitë për virusin që të shumëfishohet”, ka shtuar Schaffner.

Ai ka thënë se të gjitha viruset pësojnë ndërrime dhe se edhe koronavirusi hyn në këtë grup, pra ai ndërrohet dhe zhvillohet.

“Shumica e ndryshimeve mund të mos jenë të mëdha, mirëpo nganjëherë virusi mund të zhvillojë mutacion i cili e bënë atë më lehtë të transmetueshëm. Nëse një version i mutacionit zhvillohet shumë, atëherë ai bëhet variant”, ka shpjeguar doktori.

Aktualisht, shumë shtetet të botës po përballen me përhapjen e variantit indian, Delta, i cili siç raportohet, është më lehtë i transmetueshëm dhe po ashtu më i ashpër në aspektin e simptomave.

Ndërkohë, sipas “Our World in Data”, deri më tani në tërë botën janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës anti-COVID vetëm 25.1% e popullatës.

Sipas OWD-së, 3,39 miliardë doza të vaksinave janë administruar në të gjithë botën.

Ndërkaq, në vendet me të ardhura të ulëta, vetëm 1% e njerëzve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.

Artikuj të ngjashëm