Rregullatorët shëndetësorë në SHBA kanë njoftuar këtë javë për një përpjekje për të hequr gradualisht suplementet e fluorit që gëlltiten, të cilat përdoren ndonjëherë për të forcuar dhëmbët e fëmijëve. Kjo lëvizje përbën një front të ri në fushatën e Sekretarit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., kundër një praktike të njohur të kujdesit dentar, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka deklaruar se do të kryejë një rishikim shkencor të këtyre produkteve deri në fund të muajit tetor, me synimin që ato të hiqen nga tregu. Megjithatë, procesi zyrtar për tërheqjen e produkteve mjekësore nga tregu mund të zgjasë me vite. Për këtë arsye, FDA-ja do t’u kërkojë prodhuesve që t’i largojnë produktet vullnetarisht, sipas një zyrtari të administratës.
Suplementet me fluor, në formë tabletash apo pikash për foshnje, rekomandohen ndonjëherë për fëmijët dhe adoleshentët që kanë rrezik të lartë për prishjen e dhëmbëve, sidomos në zonat ku uji i pijshëm ka nivele të ulëta të fluorit.
Komisioneri i FDA-së, Marty Makary, ka thënë se produktet paraqesin rrezik kur gëlltiten, sepse mund të ndikojnë negativisht në bakteret e mira të zorrëve, të cilat janë thelbësore për tretjen, imunitetin dhe funksione të tjera jetike. Ai ka përmendur gjithashtu studime që tregojnë lidhje të mundshme midis marrjes së tepërt të fluorit dhe problemeve të tjera shëndetësore, përfshirë “uljen e koeficientit të inteligjencës (IQ)”.
Ndërkohë, Shoqata Amerikane e Stomatologjisë (ADA) ka reaguar duke thënë se “studimet nuk tregojnë efekte të dëmshme nga fluori në nivelet që përdoren nga dentistët”.
“Propozime si ky rrezikojnë të dëmtojnë viset rurale të Amerikës, jo ta përmirësojnë atë. Në këtë moment kritik për politikat shëndetësore në SHBA, është e domosdoshme të ndalemi dhe të shqyrtojmë plotësisht pasojat që sjellin vendime të tilla për shëndetin e kombit”, ka paralajmëruar presidenti i ADA-së, doktori Brett Kessler.
Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), fluori ndihmon në forcimin e dhëmbëve duke zëvendësuar mungesën e mineraleve.
Që nga viti 1962, CDC-ja ka vendosur udhëzime për sasinë e duhur të fluorit që duhet shtuar në ujin e pijshëm.
Në një raport të vitit të kaluar, Programi Kombëtar i Toksiologjisë në SHBA vlerësoi se “uji me përmbajtje të lartë fluori, mbi dyfishin e nivelit të rekomanduar nga CDC-ja, lidhej me IQ më të ulët te fëmijët”.
Studimi u bazua në kërkime nga Kanadaja, Kina, India, Irani, Pakistani dhe Meksika.
Robert F. Kennedy Jr., ish-avokat mjedisor, e ka quajtur më parë fluorin një “neurotoksinë të rrezikshme” dhe ka premtuar se do ta ndalojë përdorimin e tij.
“Heqja e fluorit të gëlltitshëm është një vendim i vonuar prej kohësh. Ky hap na afron më shumë me realizimin e premtimit të presidentit Trump për ta bërë Amerikën sërish të shëndetshme”, ka theksuar Kennedy.
Megjithatë, Paneli Amerikan i Shërbimeve Parandaluese, një trupë këshilluese, vazhdon të rekomandojë suplementet me fluor për fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç, në zonat me fluorizim të ulët të ujit. Rekomandimi i tyre bazohet në “siguri të lartë” të provave shkencore.
Një dokument i vitit 2010 nga ADA-ja sugjeronte përdorimin e suplementeve të fluorit për fëmijë deri në moshën 16 vjeç, në rastet kur ekziston rrezik i lartë për kavitete. Efekti anësor më i zakonshëm i këtyre produkteve është njollosja ose zbardhja e dhëmbëve, e shkaktuar nga ekspozimi i tepërt ndaj fluorit.
FDA-ja ka bërë të qartë se produktet që synohen për heqje nuk janë miratuar zyrtarisht nga agjencia. Ndërkohë, produktet dentare të tjera që përmbajnë fluor, si pastat e dhëmbëve, shpëlarësit e gojës apo trajtimet në klinikat dentare, nuk do të preken nga ky plan.
Së fundmi, kompanitë që prodhojnë produkte me përmbajtje fluori janë përballur me padi dhe hetime. Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton, hapi një hetim ndaj kompanive “Colgate-Palmolive” dhe “Procter & Gamble”, duke i akuzuar për “promovim mashtrues, të rrezikshëm dhe të gabuar” të pastave të dhëmbëve me fluor.