Njerëzit tërësisht të vaksinuar e që infektohen me COVID-19 kanë dyfish më pak gjasa që të shfaqin simptoma, në krahasim me të infektuarit e që nuk janë të vaksinuar, ka gjetur një studim i ri i kryer në Britaninë e Madhe.
Studimi i kryer nga “King’s College London” u publikua të mërkurën në revistën mjekësore “Lancet”. Ai ka gjetur se më pak se 0.2 për qind e 971 mijë e 504 të rriturve tërësisht të vaksinuar kanë marrë COVID-19 të paktën një javë pas dozës së dytë.
Por për 2370 që u infektuan pas vaksinimit, gjasat për të mos pasur fare simptoma u rritën për 94 për qind në krahasim me ata që ishin të pavaksinuar, sipas autorëve të studimit.
Shkencëtarët po ashtu kanë gjetur se gjasat për të shfaqur simptoma në javën e parë të sëmundjes u reduktua për një të tretën te të vaksinuarit. Gjasat për t’u shtrirë në spital nga COVID-19 pas dy dozave, u reduktua për dy të tretat.
Autorët kanë thënë se gjetjet kanë vënë në pah rëndësinë e testimit të rregullt të të vaksinuarve, pavarësisht se nuk shfaqin simptoma fare. Kjo sidomos pasi mund të jenë në kontakt me njerëz të pavaksinuar apo të rrezikuar më shumë nga COVID-19, siç janë të moshuarit apo ata me probleme shëndetësore.
Dr. Claire Steves, një nga hulumtueset kryesore, ka thënë se gjetjet tregojnë për “rolin kyç që kanë vaksinat në përpjekjet për të parandaluar infektimet nga COVID-19, e që megjithatë duhet të vazhdohet të ndalet edhe me masa mbrojtëse personale si bartja e maskës, testimi i rregullt e distancimi social”.
Edhe
Studimi: Vaksina kundër Covid-19 lidhet me rrezik më të ulët për sulm në zemër dhe në tru
Hulumtimi, i financuar nga Qeveria britanike, përdori një aplikacion që përcjell simptomat te më shumë se 4.7 milionë njerëz në gjithë botë.
Hulumtuesit krahasuan të dhënat e njerëzve të vaksinuar me “Pfizer”, “Moderna” apo “AstraZeneca” me ata që s’ishin vaksinuar. Morën parasysh edhe faktorët tjerë si mosha, rreziqet e mundshme shëndetësore e lokacionin gjeografik. Simptomat që i shikuan ishin: ethet, temperatura, kolla, lodhja, problemet me frymëmarrje, humbja e shijes, dhimbjet e gjoksit, diarrea, lodhja e syve, problemet të pazakonta me muskuj etj. Studimi mori të dhëna nga 8 dhjetori i vitit të kaluar deri më 4 korrik sivjet.