Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Spanja në luftë me thatësirën

Pa asnjë shenjë reshje shiu, qeveria rajonale e Katalonjës zgjeroi këtë javë kufizimet e përdorimit të ujit në 495 qytete ose fshatra – pothuajse duke dyfishuar numrin e komunave nën “masa të jashtëzakonshme”. Ajo që po ndodh në këtë qytet katalan është simbolikë e mënyrës sesi Spanja po thahet ngadalë

Ati Antonio Rosario do t'i bëjë lutje Zotit muajin e ardhshëm që të hapë qiejt dhe të sjellë një shi dëshpërimisht të nevojshëm në famullinë e tij.

Prifti do të udhëheqë një procesion të veçantë me një figurë të Trinisë së Shenjtë, duke ringjallur një traditë në L'Espluga de Francolí që daton nga shekulli i 18-të.

“Unë kam thënë tashmë lutjet në meshë për të kërkuar shi, por kjo do të jetë një ceremoni, në të cilën ne do të marrim një [figurë] të Trinisë së Shenjtë nga një strehë oshënari jashtë qytetit dhe do të bëjmë thirrje për shi. Nevoja jonë është kaq e madhe”, tha At Rosario për Al Jazeeran.

Spanjollët kanë një thënie që thotë se gjatë thatësirës, pemët ndjekin qentë. Mirëpo, në këtë qytet, ku prej më shumë se një viti nuk ka rënë shi, janë njerëzit ata që janë të dëshpëruar për çdo shenjë pikash shiu.

Ashtu si qindra qytete në të gjithë Spanjën, edhe kjo komunë në kodrat e Katalonjës ka vendosur kufizime në furnizimin me ujë.

Edhe Franca kufizon konsumimin e alkoolit për shkak të valës së madhe të të nxehtit Botë 1 muaj më parë Franca kufizon konsumimin e alkoolit për shkak të valës së madhe të të nxehtit

Autoritetet mbyllin rubinetin ndërmjet orës 22:00 dhe 07:00, duke e bërë të pamundur pastrimin, larjen e pjatave ose ndezjen e makinës larëse. Spanjollët hanë vonë, kështu që kjo i prek shumë.

Gjatë ditës, fshatarët mbledhin ujë në shishe ose kova për të pasur mjaftueshëm për gjërat e nevojshme të përditshme.

“Duhet të ngrihem për të shkuar në punë në orën 5 të mëngjesit, kështu që nuk mund të bëj dush para se të largohem nga shtëpia. Për fat, ata kanë dushe në fabrikë”, tha Manuel Navas, i cili punon në një fabrikë letre.

Juanita Pérez ruan ujin gjatë ditës në mënyrë që të mund të pastrojë shtëpinë ose të lajë tualetin gjatë natës.

“Në fillim kjo më mërziti. Më pas, ju mësoheni me të. Njerëzit nuk kishin gjithmonë ujë të rrjedhshëm në shtëpitë e tyre. Ne duhet të përshtatemi me situatën tonë”, tha ajo për Al-Jazeeran.

Image

Përmbysja e madhe

Deri në 10 kamionë uji mbërrijnë çdo ditë, secili me nga 12 mijë deri në 29 mijë litra, për të sjellë lehtësim në një qytet ku akuiferët nëntokësorë janë tharë.

Albert Einstein e vizitoi qytetin 100 vjet më parë gjatë një turneu në Spanjë. Në këto rrethana dhe një gjeni mund të mos ketë zgjidhje për problemin klimatik të Spanjës.

Ironikisht, L'Espluga de Francolí, rreth 120 km në jug të Barcelonës, dikur ishte e famshme për ujin e saj.

Turistët vinin këtu për t'u çlodhur në banjat e saj, sepse besohej se uji përmbante magnez dhe ishte me vlerë mjekësore. Jo më.

Ajo që po ndodh në këtë qytet katalan është simbolikë e mënyrës sesi Spanja po thahet ngadalë.

Reshjet në Gadishullin Iberik kanë rënë rreth 25 për qind që nga tetori i vitit të kaluar, tha Richard Torrijo, zëdhënës i AEMET-it, shërbimi kombëtar spanjoll i motit.

Viti më i thatë i regjistruar

Kjo ndodhi pasi viti 2021 ishte një nga më të thatët të regjistruar.

Sequía - thatësira në spanjisht - përkeqësohet nga temperaturat në rritje, të cilat kanë arritur afër 40C në jug, duke e bërë majin të duket më shumë si kulmi i verës.

Fshatrat janë si një kuti dërrase - zjarri i parë pyjor i vitit filloi në mars pas një dimri jashtëzakonisht të thatë.

Zjarri shkatërroi më shumë se 30 kilometra katrorë pyll dhe detyroi 1500 banorë të braktisnin shtëpitë e tyre pranë Valencias.

Edhe Kosova 2026: Pa rrymë e pa ujë Arbëri 6 muaj më parë Kosova 2026: Pa rrymë e pa ujë

Andaluzia në jug të thellë dhe Katalonja në veri janë prekur më shumë nga thatësira.

Fushat jashtë L'Espluga de Francolí janë të verdha në vend të gjelbrës, ndërsa të korrat thahen.

“Nuk ia vlen kur korr grurin. Është një kulturë e cila varet nga shiu, ashtu si hardhitë dhe ullinjtë”, tha Joan Arbos, i cili zotëron 40 hektarë tokë bujqësore.

“Kemi pasur dy vite pa reshje të duhura shiu, por tani është shumë shqetësuese. Unë varem nga ferma ime për 100 për qind të të ardhurave të mia”.

Ndërsa kamionët e ujit mbërritën për të dorëzuar ngarkesën e tyre të çmuar, Xavier Rossell, i cili ka detyrën e palakmueshme të menaxhimit të furnizimit me ujë për këshillin e qytetit, tha: “Kam një ndjenjë impotence. Ndonjëherë qëndroj zgjuar natën duke menduar për të. Ne nuk mund të prodhojmë ujë”.

“Ne duhet të vlerësojmë më shumë ujin. Luftërat e ardhshme do të zhvillohen për këtë”, shtoi Rossell.

Image

Turizmi i thatësirës

Rezervat kanë rënë në 49.6 për qind të nivelit të tyre normal në të gjithë Spanjën, sipas të dhënave të qeverisë.

Por në rezervuarin Sau, i cili siguron ujin për Barcelonën, niveli i ujit ka rënë në 7 për qind, më i ulëti në vend.

Sant Romà de Sau, një kishë e shekullit të 11-të e cila u përmbyt së bashku me pjesën tjetër të një fshati kur u krijua rezervuari në vitet 1960, ka dalë në pah nga thellësia.

Kjo ka sjellë një “turizëm të ri të thatësirës”, në të cilin njerëzit nga Barcelona bëjnë udhëtimin 100 km drejt këtij rezervuari të largët për të bërë fotografi pranë ndërtesës.

Autoritetet u detyruan të hiqnin peshqit për të ndaluar ngordhjen dhe për të ruajtur cilësinë e ujit.

Pa asnjë shenjë reshje shiu, qeveria rajonale e Katalonjës zgjeroi këtë javë kufizimet e përdorimit të ujit në 495 qytete ose fshatra – pothuajse duke dyfishuar numrin e komunave nën “masa të jashtëzakonshme”.

Fermerët duhet të ulin përdorimin e ujit në 40 për qind të përdorimit normal, por kjo u reduktua në 15 për qind për qëllime industriale.

Ujitja e zonave publike dhe private është ndaluar dhe do të vendosen gjoba për qytetet që shpërdorojnë ujërat.

Në L'Espluga de Francolí, pronari i barit, Gerard Griño, pikturoi një pamje të zymtë të së ardhmes.

“Ky është një problem social. Nuk bëhet fjalë vetëm për këtë qytet, është e njëjtë për të gjithë Spanjën. Njerëzit nuk fajësojnë politikanët, ata fajësojnë klimën”, tha ai për Al-Jazeeran.

Edhe Spanja dislokon ushtrinë për të luftuar me zjarret Botë 11 muaj më parë Spanja dislokon ushtrinë për të luftuar me zjarret

Përktheu: Forca Jashari