Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Sipërfaqja vetëpastruese që zmbraps madje edhe superbakteret më vdekjeprurëse

Foto: Georgia Kirkos, Universiteti McMaster

Një ekip hulumtuesish në Universitetin McMaster e ka zhvilluar një sipërfaqe vetëpastruese, e cila mund t’i zmbrapsë të gjitha format e baktereve, duke e parandaluar bartjen e superbaktereve rezistente ndaj antibiotikëve dhe baktereve të tjera të rrezikshme në ambiente që variojnë nga spitalet e deri tek kuzhinat.

Sipërfaqja e re plastike - një formë e trajtuar e mbështjelljes transparente konvencionale - mund të mbështillet në dorezat e dyerve, kangjella, mbajtëse të IV (tretjeve intravenoze) dhe sipërfaqe të tjera që mund të jenë magnetë për bakteret si MRSA dhe C. dificile.

Materiali i trajtuar është gjithashtu ideal për paketimin e ushqimit, ku mund ta ndalojë transferimin aksidental të baktereve si E. coli, Salmonella dhe listeria nga mishi i papërpunuar i pulës, mishi dhe ushqimet e tjera, siç përshkruhet në një punim të publikuar së fundi nga revista “ACS Nano”.

Hulumtimi u drejtua nga inxhinierët Leyla Soleymani dhe Tohid Didar, të cilët bashkëpunuan me kolegë të Institutit McMaster për Hulumtime të Sëmundjeve Infektive dhe Qendrës Kanadeze për Mikroskopinë Elektronike me seli në McMaster.

Të frymëzuar nga gjethi i zambakut i papërshkueshëm nga uji, sipërfaqja e re funksionon përmes një kombinimi të inxhinierisë sipërfaqësore nano-shkallore dhe kimisë. Sipërfaqja është e teksturuar me rrudha mikroskopike që i përjashtojnë të gjitha molekulat e jashtme. Një pikë uji ose gjaku, për shembull, thjesht largohet kur zbret në sipërfaqe. E njëjta gjë vlen edhe për bakteret.

Edhe Inteligjenca artificiale përdoret për të krijuar viruse të reja Lifestyle Inteligjenca artificiale përdoret për të krijuar viruse të reja

“Ne jemi duke e rregulluar në mënyrë strukturore atë plastikë”, thotë Soleymani, fizikan i inxhinierisë. “Ky material na jep diçka që mund të zbatohet në gjëra të ndryshme”.

Sipërfaqja, gjithashtu, trajtohet kimikisht për t’i forcuar më tej vetitë e veta zmbrapse, duke rezultuar në një barrierë që është fleksibile, e qëndrueshme dhe e lirë për t’u riprodhuar.

“Këtë teknologji mund ta shohim në përdorim në të gjitha llojet e ambienteve institucionale dhe shtëpiake”, thotë Didar. “Derisa bota po përballet me krizën e rezistencës antimikrobike, shpresojmë se ajo do të bëhet një pjesë e rëndësishme e veglave antibakteriale”.

Hulumtuesit e testuan materialin duke i përdorur dy nga format më shqetësuese të baktereve rezistente ndaj antibiotikëve: MRSA dhe Pseudomonas, me bashkëpunimin e Eric Brown të Institutit për Hulumtime të Sëmundjeve Infektive nga Mc-Master.

Edhe Për të frenuar mikroplastikën, kërkohen zgjidhje më të qëndrueshme Lifestyle Për të frenuar mikroplastikën, kërkohen zgjidhje më të qëndrueshme

Inxhinierja Kathryn Grandfield e ndihmoi ekipin ta verifikonte efektivitetin e sipërfaqes duke kapur imazhe të mikroskopit elektronik duke treguar se praktikisht asnjë baktere nuk mund të bartej në sipërfaqen e re.

Hulumtuesit shpresojnë të punojnë me një partner komercial për të zhvilluar aplikime komerciale për mbështjellësin.