Zgjohuni, vishuni, shkoni në punë, bëni darkë dhe shkoni për të fjetur. Nëse keni fëmijë, shumëzojini ato detyra me më shumë.
Mes atyre momenteve janë dhjetëra detyra për t'u bërë. Puna në distancë u dha shumë njerëzve kohë shtesë për të punuar në listat personale të detyrave ose për të marrë një pushim, shkroi CNN të enjten.
Rikthimi fizik në punë do të thotë më pak kohë për të përfunduar detyrat personale. Jo gjithmonë përfundoni gjithçka që dëshironi, gjë që ndonjëherë mund t'ju bëjë të ndiheni në faj dhe ankth për ditën e nesërme. Por nuk duhet të jetë kështu.
Ndërsa shumë njerëz kthehen në zyrë, është e mundur që të jeni akoma produktiv pa u përmbysur nën një mal me punë të papërfunduara. Ekspertët e produktivitetit ndanë këshillat e tyre më efektive për të arritur qëllimet duke reduktuar stresin tuaj.
Jepini prioritet detyrave tuaja
Hapi i parë është të ndani detyrat tuaja në qëllime afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, tha Alejandro Lleras, profesor në departamentin e psikologjisë në Universitetin e Illinoisit, Urbana-Champaign.
Pas kësaj, renditini ato në bazë të nivelit të urgjencës në mënyrë që të dini se cilat të bëni më parë, tha ai. Ky proces ju lejon të përqendroheni në detyrat që janë më të ndjeshme ndaj kohës, duke mbajtur një sy në qëllimet afatgjata, shtoi Lleras.
Kur përqendroheni fillimisht në detyrat me prioritet më të lartë, ju gjithashtu ndjeni më pak presion për të vazhduar në fund të ditës, sepse gjërat që mbeten priren të jenë më pak të rëndësishme dhe mund të trajtohen më vonë, tha Earl Miller, profesor i neuroshkencës në Institutin Picower për Mësimin dhe Kujtesën në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts.
Zbuloni kohën më të përshtatshme për të punuar
Disa njerëz punojnë në detyra të rëndësishme që marrin shumë vëmendje, por nuk punojnë në to gjatë ditës kur janë më produktiv. Kjo e humb energjinë që mund të shfrytëzohet diku tjetër.
Në vend se të kryeni punët e rëndësishme kurdo kur keni kohë, fokusohuni t’i bëni në kohën kur jeni më produktiv.
Pranoje se nuk mund t’i kompletosh të gjitha
Është e rëndësishme të vendosen kufij për veten, ngjashëm me ato që prindërit ua vënë fëmijëve.