Lifestyle

Si një “kapele noti” mund të ndryshojë kujdesin për bebet me dëmtime në tru

Foshnja trajvëshe, Theo.

Foshnja trajvëshe, Theo - Fotografi nga BBC

Foshnja trajvëshe, Theo, fle qetësisht në krevatin e tij, pa e ditur se po ndihmon në testimin e një teknologjie të re që mund të ndryshojë jetën e shumë të tjerëve, ka shkruar BBC.

Doktoresha, Flora Faure, po ia vendos butësisht një kapelë të vogël të zezë, që duket si kapelë noti. Kapela ka gunga heksagonale që përmbajnë teknologji për të monitoruar funksionimin e trurit të tij.

Sipas studiuesve në Rosie Maternity Hospital në Cambridge, ata janë të parët në botë që testojnë këtë teknikë, e cila mund të përshpejtojë diagnostikimin dhe kujdesin për fëmijët me probleme shëndetësore si paralizë cerebrale, epilepsi dhe vështirësi në mësimnxënie. Kjo teknologji pritet që brenda dhjetë vjetëve të jetë e disponueshme në spitalet britanike.

“Është hera e parë që drita dhe ultrazëri përdoren së bashku për të dhënë një pamje më të plotë të trurit”, ka thënë Faure, pjesë e studimit të njohur me emrin Fusion (Functional UltraSound integrated with Optical Imaging in Neonates).

Truri i foshnjave ndryshon çdo ditë para dhe pas lindjes. Dëmtimet e trurit te të porsalindurit janë një nga shkaqet kryesore të aftësive të kufizuara gjatë gjithë jetës. Dëmtimet mund të shkaktojnë probleme në komunikimin e trurit me trupin, duke çuar te epilepsia ose paraliza cerebrale.

Dëmtimet ndodhin më shpesh te lindjet e parakohshme, por mund të shkaktohen nga mungesa e oksigjenit, hemorragjia, infeksionet ose trauma gjatë lindjes. Për 5 nga çdo 1,000 foshnja që kanë dëmtime në tru, metodat aktuale të monitorimit kanë vështirësi në parashikimin e ndikimit të tyre në zhvillim.

Si funksionon kapela?

“Sensorët e dritës monitorojnë ndryshimet e oksigjenit në sipërfaqen e trurit, një teknikë e quajtur ’high-density diffuse optical tomography’, dhe ultrazëri funksional na lejon të shohim enët e vogla të gjakut brenda trurit”, ka shpjeguar Faure.

Për më tepër, pajisja është portative, kështu që bebet mund të monitorohen më shpesh dhe në rehati të plotë në krevatin e tyre.

Doktori, Alexis Joannides, neurokirurg konsultant, shpjegon përfitimet krahasuar me MRI dhe ultrazërin tradicional (CUS).

“MRI ka kufizime për dy arsye: kostoja dhe disponueshmëria e skanimeve. Gjithashtu, duhet të merrni foshnjën përpara një skaneri të zhurmshëm, të prisni 20 minuta, dhe pastaj ta ktheni. Kjo do të thotë që nuk mund të bësh serish skanime në ditët e para, kur truri ndryshon çdo ditë. Kjo teknologji e re e bën të mundur monitorimin e përsëritur, është shumë e fuqishme”, ka thënë ai.

Studimet kanë treguar se MRI dhe CUS nuk parashikojnë gjithmonë natyrën e problemeve, për shkak të marrëdhënies komplekse midis strukturës dhe funksionit të trurit. Testet e rregullta mund të ndihmojnë që problemet të identifikohen më herët dhe terapitë të fillojnë më shpejt.

“Për shumë fëmijë me paralizë cerebrale, rruga drejt diagnostikimit është e gjatë, dhe familjet mund të kalojnë vite duke ditur që fëmija i tyre është ‘në rrezik’, pa e kuptuar plotësisht çfarë do të thotë kjo. Teknologji si kjo mund të bëjë të gjithë ndryshimin, por është e rëndësishme që kapaciteti i terapistëve të rritet për të përballuar kërkesën”, ka thënë Amanda Richardson, themeluese e organizatës Action Cerebral Palsy

Profesori, Topun Austin, neonatolog dhe drejtor i Evelyn Perinatal Imaging Centre në Cambridge, ka shpjeguar se studimi “Fusion” synon të zhvillojë një sistem për vlerësimin e aktivitetit të trurit pranë krevatit të foshnjës dhe është i pari i këtij lloji në botë.

“Pas një viti prove me foshnjat e shëndetshme dhe të parakohshme, tani do të fokusohemi te foshnjat me rrezik më të lartë për dëmtim të trurit. Kuptimi i modeleve të aktivitetit të trurit mund të ndihmojë të identifikohen ata më të ndjeshëm ndaj dëmtimit në një fazë të hershme”, ka thënë Austin.

Në provë merr pjesë edhe Theo, një foshnje e shëndetshme.

“Babai i tij dhe unë jemi të dy shkencëtarë, dhe kur Theo të rritet, ai do të përfitojë nga të gjitha përparimet që janë bërë përmes kërkimit, kështu që menduam se është e rëndësishme që ai të kontribuojë pak në këtë kuptim”, ka thënë nëna e tij, Stani Georgieva.

Stani Georgieva dhe partneri i saj Thomas Starnes

Joannides shton se brenda tre deri në pesë vjet, dhe nëse studimi do të rezultojë i suksesshëm, kjo pajisje mund të përdoret gjerësisht në institucionet shëndetësore në Britani për monitorimin dhe identifikimin e foshnjave që janë në rrezik.

“Kostoja e lejon, kjo pajisje mund të monitorojë jo vetëm fëmijët me problem të njohur, por edhe të tjerë që mund të jenë në rrezik”, ka thënë ai.