Lifestyle

Shkencëtarët paralajmërojnë për një grip të qenve

Njerëzit mund të infektohen një ditë nga gripi i qenve – një mutacion i gripit të shpendëve që gradualisht po zhvillohet, shkruan "Daily Mail'. 

H3N2 ka kaluar te qentë afro dy dekada më parë. Shkakton probleme me hundë e kollë e në raste ekstreme edhe ngordhje.

Që nga atëherë, ka evoluar dhe është bërë virus specifik për qentë.

Por, hulumtuesit kinezë kanë zbuluar se disa patogjenë tash mund të jenë më të përshtatshëm për të infektuar edhe njerëzit.

Mostrat e viruseve të marra nga qentë së fundi, kanë treguar se viruset janë më mirë në gjendje të njohin receptorët e qelizave të njeriut krahasuar me një dekadë më parë.

Kjo e bën më të lehtë që grimcat e viruseve të infektojnë qelizat duke depërtuar në murin apo membranën qelizore, që do të thotë se virusi mund të jetë një hap më afër kapërcimit të pengesës që deri tash e ndaloi të arrinte te njeriu.

Duke shkruar në revistën eLife, studiuesit e Universitetit Bujqësor të Kinës me seli në Pekin, thanë: “Rezultatet tona treguan se qentë mund të shërbejnë si ndërmjetësues për përshtatjen e viruseve të gripit të shpendëve te njerëzit”.

Gjashtë qen u infektuan qëllimshëm me viruse H3N2 si pjesë e studimit. Asnjë nuk vdiq, ishin të gjithë me simptoma mesatare.

Deri tash nuk ka pasur një rast të raportuar të një njeriu që është prekur nga gripi i qenit.

Por, ekspertët paralajmërojnë se studimi tregon “kërcënimin potencial pandemik që paraqet H3N2 te njerëzit”.

“Ndryshimet e virusit të qenit e bën më të përshtatur për t’u transmetuar te gjitarët, siç mund të prisni pas një periudhe kaq të gjatë të qentë. Virusi nuk duket se përbën kërcënim veçanërisht shqetësues për shëndetin e qenve. Dikush mund të jetë më i shqetësuar për potencialin afatgjatë të pandemisë në specie tjera, si te njerëzit”, thotë James Wood, kreu i departamentit të veterinarisë në Universitetin e Cambridget.