Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Sëmundja e mushkërive nga cigaret elektrike ka goditur Britaninë

Foto: Reuters

Sëmundja e mushkërive e shkaktuar nga tymosja e cigareve elektrike – që ka çuar në disa vdekje e në qindra raste tjera të sëmundjeve serioze në SHBA – ka prekur edhe Britaninë dhe po përhapet në mbarë botën, ka thënë një ekspert i lartë për kontrollin e duhanit.

Profesori Stanton Glantz, drejtor i Qendrës për Hulumtime, Kontroll dhe Edukim të Duhanit në San Francisko, që ndihmoi shumë në publikimin e 90 milionë faqeve dokumente sekrete të industrisë së duhanit, ka thënë për “the Observer” se pretendimet se sëmundja do të kufizohet kryesisht në SHBA ishin “të pakuptimta”, raporton “The Guardian”.

Agjencia britanike e Shëndetit Publik (PHE) ka thënë se kriza në SHBA është e ndërlidhur fuqishëm me thithjen e vajrave të kanabisit në formë avulli, ndonjëherë e përzier me acetat të vitaminës E, agjent ky kimik i përdorur nga shitësit e tregut të zi, gjë që është e ndaluar në Britani të Madhe. Agjencia thotë se nuk ka lëshuar paralajmërim për shëndetin, duke besuar se “dëshmitë mbi shkaqet në SHBA ende nuk janë përfundimtare”, transmeton Koha.net.

“Ajo që po e thonë [në PHE] është sinqerisht qesharake”, ka thënë Glantz. “Mushkëritë janë mushkëri. Të thuash se efektet shëndetësore që po vëzhgohen disi ndalen në vijën e ujit kur të kalosh në Ishujt Britanikë, është e pakuptimtë”.

Shumica e rasteve në SHBA përfshijnë pneumoni lipoide – një formë kjo e inflamacionit të mushkërive e shkaktuar nga krijimi i lipoideve.

Edhe Mjekët amerikanë: Ndalni menjëherë cigaret elektronike Lifestyle Mjekët amerikanë: Ndalni menjëherë cigaret elektronike

Studimet thonë se përbërësit bazikë të lëngut të përdorur nga cigaret elektrike – glikol propilen dhe glicerinë – prodhojnë reaksione kimike kur përzihen me aditivë shijesh që lënë pika vaji në mushkëri, që do të thotë se edhe ata që nuk thithin THC-në (përbërësi kryesor aktiv i kanabisit) dhe acetat të vitaminës E janë në rrezik.

Javën e kaluar, një hetim nga “Bloomberg News” zbuloi se së paku 15 incidente të ndërlidhura me thithjen e vajrave për avullim janë paraqitur para epidemisë së sivjetme në SHBA. Tha se rastet janë përhapur nëpër botë – nga Guami në Japoni e në Angli e SHBA.

Nga java e kaluar, zyrtarë shëndetësorë në SHBA thanë se kanë informata për 805 raste të konfirmuara dhe gati të konfirmuara dhe 12 vdekje që kanë ardhur nga sëmundje të frymëmarrjes të ndërlidhura me thithje të pajisjeve elektrike.

Hetimet nuk kanë treguar se për cilat brende të cigareve elektrike bëhet fjalë apo për aditivët që duhen fajësuar.

Edhe Ish-duhanpirësit që përdorin cigare elektronike më të rrezikuar nga kanceri në mushkëri Lifestyle Ish-duhanpirësit që përdorin cigare elektronike më të rrezikuar nga kanceri në mushkëri

Megjithatë, profesori John Newton, drejtor i përmirësimit të shëndetit në Agjencinë britanike të Shëndetit Publik, thotë se problemet në SHBA nuk duhet të frenojnë duhanpirësit nga përdorimi i cigareve elektrike për të lënë duhanin.

“Duhanpirja shkakton 200 vdekje të parakohshme në Britani çdo ditë, por cigaret elektrike kanë ndihmuar me qindra mijëra persona të lënë duhanin”, ka thënë Newtoni. “Dëshmitë janë të sakta se cigaret elektrike nuk janë të parrezikshme, por janë shumë më pak të dëmshme sesa duhani”.