Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Rëndësia e raportit prind-fëmijë me qasje pozitive dhe pa ndëshkim trupor

Termat kyçe: Prindërimi, ndëshkimi trupor, dhuna fizike, alternativat ndaj ndëshkimit trupor, legjislacioni.

Në këtë artikull do të synojmë të diskutojmë rreth problematikës së ndëshkimit trupor ndaj fëmijëve. Shkrimi i dedikohet ofruesve të shërbimeve të ndryshme sociale, shëndetësore, rendit dhe ligjit; pastaj personave që punojnë direkt me femijë (edukatorë, mesimdhënës etj.); si dhe vetë prindërve që sfidohen për çdo ditë me situata të ndryshme dhe nganjëherë sfiduese në raport me fëmijët e tyre.

Artikulli do të reflektojë në gjetjet kyçe të disa studimeve të dy dekadave të fundit në mes viteve 2000-2016 që janë realizuar rreth çështjes së ndëshkimit trupor ndaj fëmijëve. Do të flasim për pasojat dhe efektet e ndëshkimit trupor tek fëmijët. Do të eksplorojmë disa nga faktorët që nxisin ndëshkimin trupor dhe ofrimin e teknikave alternative të disciplinimit dhe në fund do të përmendim disa nga aspektet ligjore dhe iniciativat e ndërmarra në Kosovë për eliminimin e ndëshkimin trupor ndaj fëmijëve.

Çfarë është ndëshkimi trupor?

Kemi përceptime të ndryshme për ndëshkimet trupore dhe ato ndryshojnë në kohëra të ndryshme historike dhe në regjione të ndryshme gjeografike. Nëse bëjmë një retrospektivë në të kaluarën, dhe në të kaluarën jo shumë të largët, do shofim se ndëshkimet trupore definoheshin si normë e pranueshme dhe ndonjëherë promovoheshin varësisht nga sistemi ligjor i një vendi apo ndonjëherë edhe nga dogmat fetare që janë inkorporuar si pjesë e rregullimit shoqëror. Ndëshkimet trupore i gjejmë edhe ndaj të rriturve edhe ndaj fëmijëve kryesisht për dy çështje: si ndëshkim ndaj ndonjë veprimi të papranueshëm apo në kundërshtim me normat e pranuara; si dhe si disiplinim (kryesisht i ushtruar ndaj fëmijëve me synim edukimin e tyre dhe drejtimin e sjelljes). Fatkeqësisht ndëshkimet trupore ende mbeten normë e pranuar në legjislacionin e disa shteteve nëpër botë!

Edhe Roli i teksteve shkollore në parandalimin e ndëshkimit trupor tek fëmijët Arbëri Roli i teksteve shkollore në parandalimin e ndëshkimit trupor tek fëmijët

Ndëshkim trupor apo abuzim fizik?

Përkufizimi i ndëshkimit fizik mbetet një sfidë për çka dhe ekzistojnë definicione të ndryshme. Një definicion më i përgjithsuar është ai i përdorur nga organizata ndërkombëtare Save the Children: ‘Ndëshkimi trupor’ nënkupton dënimin e dikujt duke përdorur forcë fizike në atë mënyrë që nënkupton lëndimin ose mundimin e tyre. Çdo dënim që përdor forcë është ndëshkim trupor, sado i lehtë që të jetë ai.

Edhe në bazë të Konventës ndërkombëtare për të drejtat e fëmiut; Artikulli 19, ndër të tjerash kërkon nga shtetet anëtare që “…mbrojtjen e fëmijës nga çdo formë e dhunës fizike ose mendore, lëndim ose keqtrajtim, neglizhimi ose mospërfillja, keqpërdorimi ose shfrytëzimi, përfshirë abuzimin seksual, për aq kohë sa ai është nën kujdesin e prindërve të tij ose të përfaqësuesit ligjor…“. Si dhe neni 37 kërkon mbrojtje nga: "tortura ose veprime tjera mizore, çnjerëzore, trajtim degradues ose dënim ".

Gjithashtu Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës në publikimin e vitit 2008 thirret në rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës 2004, ku bën thirrje që shtetet e BE-së të ndërmarrin veprime që: "Çdo ndëshkim trupor i fëmijëve është në kundërshtim me të drejtën e tyre themelore, të dinjitetin njerëzor dhe integritetin fizik...Pranimi social dhe ligjor i ndëshkimit trupor të fëmijëve duhet të përfundojë“.

Fatkeqësisht ndeshkimi fizik ende nuk është çrrënjosur në të gjitha shtetet dhe kulturat në botë. Shtetet e BE-së kanë integruar në legjislacion ndalimin e ndëshkimit trupor si masë ndëshkuese apo disciplinuese/edukuese. Por disa vende tjera e konsiderojnë se përdorimi i ndëshkimit trupor nga prindi apo kujdestari është i pranueshëm dhe nuk është abuzim fizik dhe merret si masë e pranueshme nëse veprimet e ndëshkimit fizik janë brenda dispozitave ‘të arsyeshme’. Se çka nënkuptohet me ‘të arsyeshme’ nuk është definuar ligjërisht dhe nuk ekziston një koncensus definitiv se çka nënkupton ‘ndëshkim i arsyeshëm‘. Sidoqoftë, aspektet që ndërlidhen me ‘ndëshkimin fizik të arsyeshëm’ ndër të tjera nënkuptojnë gjithashtu:

  • Moshën dhe madhësinë fizike të fëmiut;
  • Metodën e ndëshkimit;
  • Kapacitetin e fëmiut që të rezonojë (a është fëmiu në gjendje të kuptojë korrigjimin/disciplinën); dhe
  • Dëmtimi i shkaktuar ndaj fëmijës

Në anën tjetër kemi disa shtete që në legjislacionin e tyre kanë ende në fuqi aspekte që përcaktojnë disa forma të ndëshkimi trupor si të ‘pa arsyeshëm‘. Me ndëshkim të pa arsyeshëm nënkuptojnë: „gjendje apo forcë e aplikuar ndaj pjesëve të trupit si koka dhe qafa e fëmiut apo ndonjë pjesë tjetër të trupit që rezulton me mavijosje, shenja ose lëndime tjera që janë të dukshme për një kohë më të gjatë“.

Çfarë na thonë hulumtimet e fundit për përdorimin e ndëshkimit trupor ndaj fëmijëve

Hulumtimet e viteve të fundit japin indikacione se më shumë se 50 % e fëmijëve kanë përjetuar ndëshkim trupor nga prindërit apo kujdestarët e tyre. Një hulumtim i fundit i Save the Children në Kosovë, i realizuar me fëmijët mbi pikëpamjet e tyre kryesisht në situatë shkolle jep disa statistika alarmante ku mes tjerash thuhet se:

  • 63.4% e fëmijëve tregojnë se janë të trishtuar dhe të pa disponuar për një kohë të gjatë; 54.1% tregojnë se ndjehen të trishtuar dhe të pa disponuar shumë shpesh; 36.6% tregojnë se ndonjëherë ndjehen të trishtuar dhe të pa disponuar.
  • 35.7% e vajzave dhe 36.4% e djemve shqetësohen nga tallja (bullying).

Tani është duke u zhvilluar një debat i gjerë në forumet e ndryshme ndërkombëtare dhe vendore për mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijëve në ndërlidhje me ndëshkimin trupor dhe efektet negative që sjellë në mirëqenien e fëmijës. Një nga hulumtimet e hershme të realizuara nga autori Gershoff (2002) i cili ka nxitur më tej reflektime të shumta, e që në mes tjerash konkludon në hulumtimin e tij se ndëshkimi fizik tek fëmijët sjellë gjendje agresiviteti, formësim të ulët morali dhe dobësim të përgjithshëm të shëndetit mendor. Pas kritikëve për metodologjinë dhe mostrën e përdorur në studimin e parë, Gershoff dhe Grogab-Kaylor (2016) ngrisin më tutje shtjellimin shkencor në studimin i cili ka patur për qëllim të përcaktimit nëse ndëshkimi trupor dhe efektet në mirëqenjen e fëmiut janë të ndryshme nga efektet e abuzimit fizik.

Gjetjet e dala japin indicie që 13 nga 17 pasojat e shënuara tek fëmijët tregojnë një ndërlidhje të ngushtë me ndëshkimin trupor. Pasojat që identifikohen janë: veprime antisociale, probleme me ndërveprim me rrethin, internacionalizim i ulët moral, agresion, probleme me shëndetin mendor, marrëdhënie negative prind-fëmijë, dëmtim i aftesive kognitive, nënvlersim dhe rrezik i abuzimit fizik nga prindërit.

Studimi i lartëcekur gjen gjithashtu se fëmijët e dënuar fizikisht ka të ngjarë ti sfidojnë (kundërshtojnë, ndonjëherë me masë të ngjajshme) prindërit e tyre për shkak të përdorimit të ndëshkimit për t’ju bindë mendimeve të tyre.

Hulumtime të mëtutjeshme janë treguar si të nevojshme për të zbërthyer këtë problematikë dhe disa nga konkluzat tregojnë se:

  • Ekziston një ndërlidhje në mes të shuplakës[1] dhe rrezikut për abuzim fizik.
  • Ndëshkimi fizik dhe abuzimi fizik janë të dyja të lidhura me rezultatet e ngjashme, e që janë negative për fëmijët.

Te qenurit i dënuar fizikisht si femijë ndërlidhet me të qenurit në përkrahje të përdorimit të ndëshkimit trupor edhe më vonë si i rritur.

Në disa studime tjera vihet në pyetje shkalla dhe intensiteti i ndëshkimit trupor si dhe format e ‚kontrolluara‘ të përdorimit të ndëshkimit trupor. Si dhe sa ato (varësisht nga shkalla dhe intensiteti) shkaktojnë efekte negative tek fëmijët. Disa nga rezultatet e dala tregojnë se format e lehta të ndëshkimit trupor krijojnë efekte të dobëta negative për fëmijët; kurse format më të rënda asocojnë në rezultate negative për fëmiun si sjellje të devijuara dhe probleme tjera emocionale.

Sidoqoftë, është e vështirë të bëhet nje asocim i saktë dhe i drejtperdrejtë i ndërlidhjes në mes të ndëshkimit trupor dhe faktorëve negativ që rezultojnë tek femijët veç e veç. Kjo edhe për faktin se varen nga shumë faktorë tjerë rrethanor. Por si konkluzion mund të themi se ka një lidhje në mes të ndëshkimit trupor dhe efekteve negative në zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijës. Në asnjë situatë, nëse e krahasojmë me format tjera të prindërimit pozitiv, ndëshkimi trupor nuk ka ndonjë përparësi.

Edhe Prevalenca e ndëshkimit trupor tek fëmijët e cenueshëm Lifestyle Prevalenca e ndëshkimit trupor tek fëmijët e cenueshëm

Në këtë lëmi mbetet shumë për t‘u hulumtuar, por edhe më shumë mbetet të hulumtohet për efektet e qasjeve të prindërimit tek femijët në ndryshimet dhe dinamikën jetësore të kohëve të fundit.

Çfarë thonë fëmijët për ndëshkimin trupor

Fëmijët gjithashtu kanë pikepamjet e tyre sa i përket ndëshkimit trupor ndaj tyre. Në një studim të autorit Saunders (2013) i cili analizon këtë problematikë nga këndvështimi i vet fëmijëve dhe gjen se përceptimet e përbashkëta të fëmijëve për ndëshkimin trupor nënkuptojnë në mes tjerash:

  • dhimbje fizike që mund të përshkallëzohet në ashpërsi;
  • ngjallë emocione negative duke përfshirë zemërimin, trishtimin, frikën dhe konfuzionin;
  • pengon mësimin dhe u mëson fëmijëve se dhuna është një mjet për zgjidhjen e konfliktit;
  • përdoret kur prindërit janë të zemëruar dhe jo në kontrollin e emocioneve të tyre;
  • zvogëlon marrëdhëniet pozitive duke krijuar një ndjesi të ndjeshmërisë ndaj veprimeve të kujdestarëve; dhe
  • është konsideruar një përvojë normale dhe e pashmangshme e fëmijërisë.

Fëmijët gjithashtu theksuan një dëshirë për komunikim më të qëndrueshëm dhe më të qartë nga kujdestarët kur ata janë duke u disiplinuar (Saunders, 2013).

Në cilat rrethana fëmijët kanë më shumë gjasa të përjetojnë ndëshkimin trupor?

Hulumtimet tregojnë se fëmijët e moshës ndërmjet 3 dhe 5 vjeç dhe fëmijët që shfaqin sjellje sfiduese kanë më shumë gjasa se sa fëmijët e tjerë të ballafaqohen me ndëshkim fizik (Smith, Gollop, Taylor & Marshall, 2004). Fëmijët me aftësi të kufizuara janë veçanërisht të ekspozuar ndaj dënimit të dhunshëm, sipas konstatimit të Iniciativës Globale për t'i dhënë fund të gjitha dënimeve fizike të fëmijëve‘ (GIEACPC) (2012). Një hulumtim tjetër (Jones et al., 2012) konkludon se fëmijët me aftësi të kufizuara janë 3.6 herë më të rrezikuar sesa fëmijët pa aftësi të kufizuara për të përjetuar dhunë fizike.

Brenda mjedisit familjar, faktorët kontekstual siç janë struktura familjare (p.sh. numri i fëmijëve), disavantazhi ekonomik dhe stresi familjar ndikon në gjasat që prindërit të përdorin dënimin fizik si metodë e prindërimit. Përveç kësaj, Smith et al. (2004) argumentuan se një kontekst më i gjerë shoqëror që në mënyrë efektive ndalon përdorimin e ndëshkimit fizik, kontribuon në minimizimin e veprimeve te dhunshme.

Normat kulturore dhe shoqërore në lidhje me përdorimin e ndëshkimit trupor poashtu ndikojnë në përdorimin e kësaj qasje. Rëndësia e konsiderimit të besimeve kulturore në lidhje me ndëshkimin trupor kur punon me familjet është vërtetuar nga Kolar dhe Soriano (2000). Hulumtimi dokumentoi praktikat e rritjes së fëmijëve të prindërve Anglo, Vietnamese dhe Torres Strait Islander në Australi. Studimi zbuloi se besimet rreth praktikave të rritjes së fëmijëve dhe ndëshkimit fizik ndryshonin midis tre grupeve dhe theksuan rëndësinë e ndjeshmërisë dhe mirëkuptimit kulturor kur punonin me familje të ndryshme kulturore dhe gjuhësore.

Alternativat e ndëshkimit trupor

Ka shumë teknika alternative që mund të përdoren gjatë prindërimit dhe edukimit. Mbështetja e familjeve për të zhvilluar prindësi pozitive dhe për të përmirësuar sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në Kosovë mbështetet nga disa institucione, OJQ dhe shoqëria civile.

Një komponentë e rëndësishme në të gjitha qasjet e prindërimit është ruajtja e qëndrueshmërisë dhe konsistencës pozitive prindore. Prindësia apo prindërimi që nuk mbahet konsistent pozitivisht nuk përputhet me parimet e prindësisë pozitive, kështuqë mund të jetë konfuze për fëmijët dhe të çojë në sjellje të padëshirueshme nga ana e fëmijës.

Një studim i fundit në Australi nga ”Longitudinal Study of Australian Children“ (LSAC) tregon se prindërimi i papërshtatshëm jokonsistent është i lidhur ngushtë me problemet e sjelljes në fëmijët, duke përfshirë problemet e sjelljes, sjelljen e ulët prosociale, hiperaktivitetin, vështirësitë emocionale dhe problemet që kanë të bëjnë me bashkëmoshatarët e tyre (Smart, Sanson, Baxter, Edëards, & Hayes, 2008).

Kur prindërit janë të qëndrueshëm (konsistent) në kërkesat dhe qasjen e tyre pozitive në prindërim, fëmijët mësojnë se çfarë mund të presin nga prindërit e tyre nëse ata nuk veprojnë si duhet dhe jashtë rregullave për të cilat pajtohen bashkarisht (Spock & Needlmen, 2009).

Hulumtimi nga LSAC gjithashtu tregoi se problemet e sjelljes janë të lidhura ngushtë me rastet e situatave të ‘armiqësisë prindërore’. Fëmijët kanë katër herë më shumë gjasa të kenë probleme të sjelljes dhe dy herë më shumë gjasa që të kenë probleme të hiperaktivitetit kur jetojnë në situatat me ‘prindër armiqësorë’ – pra që përdorin dhunën si qasje e prindërimit (Smart et al., 2008).

Edhe Ndëshkimi i fëmijëve me goditje ndikon negativisht në suksesin e tyre në shkollë Lifestyle Ndëshkimi i fëmijëve me goditje ndikon negativisht në suksesin e tyre në shkollë

Të dhënat tregojnë se ngrohtësia dhe dashuria në marrëdhëniet prind-fëmijë lidhen me rezultate më pozitive për fëmijët (Smart et al., 2008). Në LSAC, ngrohtësia më e madhe prindërore u tregua se zvogëlon rrezikun e sjelljeve problrmatike tek fëmijët; si problemet e shokëve dhe sjelljen e ulët prosociale në fëmijët 4-5 vjeç (Smart et al., 2008). Prandaj, efekti i prindërimit ndikohet më së shumti nga kualiteti i marrëdhënieve prind-fëmijë, ngrohtësia e ofruar dhe shkalla e konsistencës në qasje pozitive (Gershoff, 2002a).

Autor i këtij shkrimi është, Petrit Sopjani - Sociolog