Lifestyle

Radiologët më të saktë se Inteligjenca artificiale në identifikimin e sëmundjeve

Sipas një studimi të publikuar në Radiology, revistë amerikane e Shoqatës Radiologjike, radiologët janë më të saktë se Inteligjenca Artificiale në identifikimin e sëmundjeve.

Në një studim të më shumë se 2.000 fotografimeve X të kraharorit, radiologët ia kaluan Inteligjencës Artificiale në identifikimin e saktë të pranisë dhe mungesës së tri sëmundjeve të zakonshme të mushkërive.

“Radiografia e kraharorit është një mjet diagnostikues i zakonshëm, por kërkohet një trajnim dhe përvojë e rëndësishme për të interpretuar saktë analizat”, tha studiuesi kryesor Louis L. Plesner, M.D., radiolog rezident dhe ph.D. në Departamentin e Radiologjisë në Herlev dhe Spitalin Gentofte në Kopenhagë, Danimarkë.

Dr. Plesner dhe një ekip studiuesish krahasuan performancën e Inteligjencës Artificiale me 72 radiologë në interpretimin e 2.040 fotografimeve X të gjoksit të marra gjatë një periudhe dyvjeçare në katër spitale daneze në vitin 2020. Mosha mesatare e grupit të pacientëve ishte 72 vjeç. Nga mostrat e fotografimeve X të kraharorit, 669 (32,8 %) kishin të paktën një gjetje të objektivit.

“IA performoi më keq në identifikimin e sëmundjes, me vlera pozitive parashikuese që varionin nga 40 deri në 50%”, ka thënë Dr. Plesner.

Sipas Dr.Plesner qëllimi i radiologëve është që të gjejnë sëmundjet dhe t’i mjekojnë ato në kohë sa më të hershme si dhe t’i shmangin sëmundjet tjera të cilat shpesh mund të neglizhohen.

Doktori mendon se Inteligjenca Artificiale është e mirë në gjetjen e sëmundjeve por jo në lëmine e radiologjisë.

“Studimi ynë demonstron se radiologët përgjithësisht e tejkalojnë Inteligjencën Artificiale”, tha ai.

Dr. Plesner vuri në dukje se këto mjete të IA-së vetëm mund të rrisin besimin e radiologëve në diagnozën e tyre duke i dhënë një vështrim të dytë fotografime X të gjoksit.

Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi