Lifestyle

Inteligjenca artificiale ndihmon në klasifikimin e agresivitetit të kancerit

Sipas një studimi, inteligjenca artificiale është thuajse dy herë më e mirë në klasifikimin e agresivitetit të një kanceri të rrallë sesa metoda aktuale e skanimit.

Duke dalluar detaje të padukshme nga syri i njeriut, AI ishte 82% i saktë, krahasuar me 44% e analizave të laboratorit.

Hulumtuesit nga Spitali Mbretëror Marsden dhe Instituti i Hulumtimit të Kancerit thonë se mund ta përmirësojë trajtimin dhe të përfitojnë mijëra persona çdo vit. Ata, po ashtu, janë të entuziazmuar nga potenciali që ka për dallimin e kancerit të hershëm

AI që tani po shfaq premtim për diagnostikimin e kancerit të gjirit, si dhe zvogëlimin e kohës së trajtimit.

Kompjuterët mund të përmbajnë sasi të mëdha informacioni dhe të trajnohen në identifikimin e mënyrave për parashikime, zgjedhjen e problemeve, por edhe të mësojnë nga gabimet e veta.

“Jemi jashtëzakonisht të gëzuar nga potenciali i kësaj teknologjie të fundit të artit”, tha profesoresha Christina Messiou, këshilltare radiologe në Spitalin Mbretëror Marsden NHS Foundation Trust dhe profesoreshë në imazherinë për onkologjinë e personalizuar në Institutin e Hulumtimit të Kancerit, Londër.

“Mund t’i çoj pacientët në rezultate më të mira, përmes diagnozave më të shpejta dhe trajtim më të efektshëm”.

Hulumtuesit, në shkrimet e Lancet Oncology, përdorën një teknikë të quajtur radiomikë për identifikimin e shenjave, të padukshme për syrin e njeriut, të sarkomës retroperitoneale - që zhvillohet në indin lidhor të pjesës së pasme të barkut - në skanimet e 170 pacienteve.

Me këto të dhëna, algoritmi i AI-së ishte në gjendje ta gradonte agresivitetin e tumoreve të 89 pacientëve në spitalet evropiane dhe të SHBA-së, nga skanimet, shumë më të sakta se biopsitë, në të cilat një pjesë e vogël e indit kanceroz analizohet në mikroskop.

Kur infermierja dentare Tina McLaughlan ishte diagnostikuar - në qershor të vitit të kaluar, pas një dhimbjeje stomaku - me një sarkomë në pjesën e pasme të barkut, mjekët u mbështetën në skanimet e tomografisë së kompjuterizuar (CT) për gjetjen e problemit.

Ata vendosën që ishte mjaft e rrezikshme për t’i bërë asaj biopsi me gjilpërë. 65-vjeçarja, nga Bedforshire, kishte hequr tumorin dhe tani kthehet në Marsdenin Mbretëror për skanime çdo tre muaj. Ajo nuk ishte pjesë e vlerësimit të inteligjencës artificiale por tregoi që do t’iu ndihmonte pacientëve të tjerë.

“Shkon për skanimin e parë dhe nuk mund të tregojnë se çfarë është - ata nuk më treguan gjatë gjithë trajtimit tim, deri pas operacionit histologjik, kështu që do të ishte mjaft e dobishme për ta ditur menjëherë”, tha zonja McLaughlan.

“Me shpresë që do të çojë në një diagnozë më të shpejtë”

Rreth 4300 njerëz në Angli janë të diagnostikuar me këtë lloj kanceri çdo vit.

Profesoresha Messiou shpreson që teknologjia me kalimin e kohës do të jetë në gjithë botën, ku pacientëve me rrezikshmëri më të lartë t’iu jepet trajtim i veçantë, kurse këta me rrezikshmëri më të ulët kursehen nga trajtime të panevojshme dhe skanime të tjera vijuese.

Mjeku Paul Huang, nga Insituti i Hulumtimit të Kancerit, tha: “ Kjo lloj teknologjie ka potencialin të ndryshojë jetën e njerëzve me sarkomë - duke mundësuar trajtime të personalizuara me përshtatjen e biologjisë specifike të kancerit të tyre. “Është e mrekullueshme të shohësh kaq gjetje premtuese”.

Përktheu: Erza Kelmendi