Lifestyle

Pse vajzat adoleshente janë në krizë? Nuk ndikon vetëm media sociale

Adoloshente - kriza - mediat sociale

Vajzat historikisht janë prekur në mënyrë disproporcionale nga depresioni dhe ankthi. Por këto statistika të paktën pjesërisht pasqyrojnë faktin se vajzat shpesh kanë më shumë gjasa se djemtë të flasin për ndjenjat dhe emocionet, ka treguar Dr. Hina Talib, specialiste e mjekësisë adoleshente dhe zëdhënëse e Akademisë Amerikane të Pediatrisë. Bllokimi i COVID-19 shtoi një dimension tjetër, duke nxitur jetën akademike dhe sociale vetëm përmes internetit, ka theksuar Talib

Ankthi për mësimet. Gjendja e rëndë pas COVID-it. Shqetësimet e mediave sociale.

Studim pas studimi bën të ditur se të rinjtë amerikanë janë në krizë, duke u përballur me sfida të papara të shëndetit mendor që po rëndojnë veçanërisht vajzat adoleshente. Një raport i fundit i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka treguar se pothuajse 60% e vajzave amerikane raportuan trishtim të vazhdueshëm dhe dëshpërim. Normat janë rritur edhe te djemtë, por rreth gjysma e numrit të tyre janë të prekur.

Të rriturit ofrojnë teori për atë që po ndodh, por çfarë thonë vetë adoleshentët? A janë mediat sociale rrënja e vështirësive të tyre? A janë moshatarët e tyre meshkuj disi të imunizuar, apo janë pjesë e problemit?

Associated Press i ka intervistuar pesë vajza në katër shtete dhe ra dakord të publikonte vetëm emrat e tyre për shkak të natyrës së ndjeshme të temave që diskutuan. Adoleshentet ofruan këndvështrime të qarta - dhe ndonjëherë befasuese.

“Jemi të forta dhe po kalojmë nëpër shumë gjëra”, ka theksuar Amelia, një vajzë 16- vjeçare që i pëlqen të këndojë dhe që dëshiron të bëhet kirurge.

Ajo gjithashtu ka depresion dhe ankth. Ashtu si 13% e vajzave të shkollave të mesme në SHBA, të anketuara në raportin e qeverisë, është një e mbijetuar e tentativës për vetëvrasje. Hospitalizimi pas tentativës së 2020-s dhe terapia e ndihmuan. Por Amelia është përballur gjithashtu me ngacmime, miqësi toksike dhe fjalë kërcënuese nga një djalë në shkollë, i cili thoshte se ajo “e meritonte të përdhunohej”.

Oazë presionesh

Më shumë se 1 në 10 vajza kanë treguar se ishin detyruara të kryenin marrëdhënie seksuale, sipas raportit të CDC-së, rritja e parë e vërejtur në sondazhin periodik të qeverisë. Kërcënimet seksuale janë vetëm një nga barrët me të cilat përballen vajzat adoleshente.

“Po përpiqemi të jetojmë në një botë që duket sikur do të na shkatërrojë”, është shprehur Amelia.

Emma, një artiste aspiruese 18-vjeçare në Georgia me çrregullim të deficitit të vëmendjes dhe depresion të rastësishëm, thotë se shqetësimet për mësimet dhe kolegjet janë një burim i madh stresi.

“Kohët e fundit në veten time dhe miqtë e mi, e kuptoj se sa të rraskapitur janë të gjithë me presionet e botës dhe çështjet sociale dhe se ku do të shkojnë në të ardhmen”, ka shtuar Emma. “Të gjitha këto gjëra grumbullohen dhe më pas të shkatërrojnë”.

Zoey, 15 vjeçe, u rrit në Misisipi nga një nënë beqare e rreptë, por e dashur, e cila i bën presion asaj që të ketë sukses në shkollë dhe jetë. Ajo u bën jehonë atyre ndjenjave.

“Shkolla mund të jetë stresuese dhe të ndikojë aq shumë në shëndetin tuaj mendor, saqë as ... nuk e kuptoni, derisa të jeni në këtë hapësirë ku nuk dini çfarë të bëni”, ka thënë Zoey. Ajo gjithashtu ka pasur beteja miqësie që përfunduan në depresion të thellë dhe ndjeu shqetësimin e të qenit i vetmi fëmijë afro-amerikan në klasë.

Disa vajza kanë thënë se përballen me presion të shtuar nga standardet e shoqërisë që fokusohen shumë në pamjen e tyre.

“Shumë njerëz i shohin trupat e grave dhe vajzave si diçka seksuale”, ka theksuar Emma. “Është dërrmuese të na shtyjnë nga këto gjëra.”

Lëvizja #MeToo filloi kur këto vajza ishin mjaft të reja, por ajo u intensifikua gjatë pandemisë dhe ato janë të vetëdijshme për hiret e tyre të bukurisë.

Ndikimi i mediave sociale

Djemtë janë më pak të vetëdijshëm, sugjerojnë ato. Vajzat përmendin shaka të çmendura, prekje të papërshtatshme, kërcënime seksuale ose dhunë të vërtetë. Vajzat thonë se vëmendja e padëshiruar mund të duket tepër e madhe.

Siya, një 18-vjeçare në New Jersey, ka theksuar se pothuajse çdo vajzë që njeh ka marrë ngacmime seksuale. “Kjo ishte thjesht normale për mua”, është shprehur ajo.

“Kur je duke ecur vetëm si vajzë, futesh automatikisht në këtë situatë të rrezikshme”, ka thënë Siya. “Mendoj se është shumë e trishtueshme. Nuk e di se si është të mos kesh atë frikë”.

Makena, një nxënëse e shkollës së mesme në Misisipi, ka theksuar se ajo dhe miqtë e saj ndonjëherë veshin rroba të gjera për të fshehur format e tyre, por djemtë “komentojnë, pavarësisht se çfarë”.

Ajo ka pasur depresion dhe ka përdorur terapi, dhe bën të ditur se është rritur në një komunitet ku shëndeti mendor është ende i stigmatizuar ndonjëherë.

Platformat e mediave sociale kontribuojnë, me fokusin e tyre në paraqitjet sipërfaqësore dhe duke e bërë perfeksionimin të duket i arritshëm. Vajzat thonë se ato janë vetëm një pjesë e problemit.

“Mediat sociale kanë ndryshuar plotësisht mënyrën se si mendojmë dhe ndjejmë për veten tonë” në mënyra të mira dhe të këqija, ka thënë Makena.

Ajo ka ndier presion për të qenë e përsosur kur e krahason veten me të tjerët në internet. Por ajo gjithashtu ndjek ndikuesit e mediave sociale të cilët flasin për sfidat e tyre të shëndetit mendor dhe që e bëjnë të duket “në rregull që unë të ndihem e trishtuar dhe e pambrojtur”, ka treguar ajo.

Vajzat historikisht janë prekur në mënyrë disproporcionale nga depresioni dhe ankthi. Por këto statistika të paktën pjesërisht pasqyrojnë faktin se vajzat shpesh kanë më shumë gjasa se djemtë të flasin për ndjenjat dhe emocionet, ka treguar Dr. Hina Talib, specialiste e mjekësisë adoleshente dhe zëdhënëse e Akademisë Amerikane të Pediatrisë.

Bllokimi i COVID-19 shtoi një dimension tjetër, duke nxitur jetën akademike dhe sociale vetëm përmes internetit, ka theksuar Talib. Disa fëmijë hynë në pandemi si të rinj dhe dolën me trupa më të pjekur, me vështirësi shoqërore, të pasigurt se si të sillen në miqësi dhe marrëdhënie. Ata jetojnë në një botë të mbushur me të shtëna në shkolla, një klimë që ndryshon me shpejtësi, trazira sociale dhe politike dhe kufizime në kujdesin riprodhues dhe të drejtat transgjinore.

Raporti i CDC-së i lëshuar në shkurt përfshinte adoleshentët e pyetur në vjeshtën e vitit 2021, kur rastet dhe vdekjet me COVID-19 në SHBA ishin ende të larta. Të dhëna të tjera dhe raporte anekdotike sugjerojnë se shumë adoleshentë vazhdojnë ende të luftojnë me këto probleme.

Përktheu: Blerta Haxhiu