Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Pica e rrit më së shumti produktivitetin në punë

Sipas rezultateve të studimit të kryer nga profesori Dan Ariely, pica falas i motivon punëtorët të punojnë më shpejt dhe më mirë.

Gjatë një studimi të kryer gjatë shkrimit të librit “Payoff: The Hidden Logic That Shapes Our Motivations”, Ariely u dërgoi punonjësve të Intel në Izrael në fillim të javës një nga tre mesazhet, transmeton Koha.net. Njërit grup u premtoi pica falas, tjetrit një bonus prej 30 dollarësh, dhe të tretit lëvdatë të shefit. Një pjesë e punonjësve, të cilët shërbyen si grup kontrolli, nuk morën asnjë mesazh.

U nevojit një ditë që Ariely të kuptonte se punëtorët janë më të motivuar nga pica. Sipas rezultateve të hulumtimit të tij, punonjësit të cilëve iu premtuan picat ishin 6.7 për qind më të motivuar se grupi që nuk e mori asnjë mesazh.

Në vendin e dytë ishte lavdërimi i shefit ai që e rriti produktivitetin e punëtorëve me 6.6 për qind. Paraja e rriti produktivitetin me vetëm 4.9 për qind.

Është interesante se punëtorëve të cilëve iu ofrua bonusi për dy ditë ishin 13.2 për qind më pak produktiv ndërsa deri në fund të javës produktiviteti i tyre ra për gjithsej 6.5 për qind, përcjell Koha.net.

Në fund të javës, produktiviteti i atyre që morën lëvdata të shefit u barazua me produktivitetin e atyre që morën pica falas. Ariely pretendon se, sikur ta realizonin planin origjinal për t’i dërguar picat në adresat e shtëpive të punonjësve, pica do të ishte fituesi përfundimtar.