Të gjithë keni pasur dridhje të qepallave ndonjëherë.
Ndonëse mund të jenë të bezdisshme, ato zakonisht nuk shkaktohen nga ndonjë gjë që duhet t’ju shqetësojë. Por, ato mund të jenë shenjë që ju duhet të flini më tepër apo edhe të pushoni sytë se po qëndroni tepër në kompjuter, shkruan “The Sun”.
Shpesh dridhjet në cep të syrit ndihen më tepër.
Sipas, Shërbimit Shëndetësor të Britanisë së Madhe, dridhja e syve mund të jetë shkak i stresit dhe ankthit, lodhjes dhe rraskapitjes, pirjes së kafeinës dhe alkoolit, si dhe përdorimit të disa barnave që kanë efekte anësore. Po ashtu “John Hopkins Medicine”, thotë se dridhja e syve mund të shkaktohet edhe nga acarimi apo tharja e syve.
Dridhja e syve ndahet në dy kategori:
Miokimia e qepallave – një rast i lehtë i dridhjeve të herëpashershme të syrit, në të cilën pacientët s’kanë nevojë për trajtim.
Blefarospazma esenciale beninje – kontraktime të qëndrueshme, të pavullnetshme, që e bëjnë syrin tuaj të mbyllet pjesërisht ose plotësisht.
Nëse jeni i prekur nga blefarospazma, atëherë syri juaj mund të jetë pak më i bezdisshëm. Zakonisht përmirësohet vetvetiu, por mund të duhet edhe trajtim, thuhet nga “Johns Hopkins Medicine”.
Një studim i publikuar në vitin 2020 ka sugjeruar se 20 deri 30 për qind e njerëzve me blefarospazmë esenciale beninje kanë dikë në familje me këtë gjendje.
Por, mund të shkaktohet edhe nga vendi ku jetoni apo punoni.
Thuhet se jetesa në qytet, stresi i punës dhe po ashtu kalimi i tepërt i kohës para ekranit televiziv mund të ndikojë.
Si të veproni kur keni dridhje të syrit?
Zakonisht dridhjet e syrit ndalen brenda disa ditëve apo maksimum pak javë.
Sugjerohet që të pushoni shumë dhe të gjeni mënyra për t’u çlodhur.
Rekomandohet reduktimi i pijeve me kafeinë si çaji dhe kafeja, e po ashtu i alkoolit.
E nëse arsyeja është ndonjë ilaç që po e merrni, mos e ndërprisni terapinë pa u konsultuar me mjekun.
Mjeku i syve Cornelius Rene ka këshilluar ata që kalojnë shumë kohë para ekranit, të përdorin rregullin 20-20-20.
Përfshin pushimi të paktën 20 sekonda, për çdo 20 minuta dhe shikimi së paku 20 metra larg gjatë asaj pauze.
Kur duhet shqetësuar?
Shërbimi Shëndetësor në Britani tregon se nëse keni dridhje për më tepër se dy javë, dridhja shfaqet në më tepër se një vend, vendi ku preket ndihet si i dobët apo ngurtë, atëherë është mirë të konsultoheni me mjekun.
Po ashtu edhe kur dridhja shkaktohet nga ndonjë ilaç.
Doktori Luke Powles nga Klinika “Bupa Health” thotë se dridhja e tejzgjatur apo ndryshimi në pamjen e syrit tënd mund të jetë “indikator i hershëm i sklerozës të shumëfishtë apo i Parkinsonit”.