Lifestyle

Pandemia rriti rastet e psikozës në Angli

12.655 pacientë janë referuar në shërbimet e shëndetit mendor të Britanisë së Madhe gjatë korrikut të 2021-s, ndërkaq shifra gjatë korrikut të 2019-s ishte 8.252. Rritja më e madhe është shënuar gjatë vitit të kaluar, pas izolimit të parë kombëtar në Britani, kanë treguar të dhënat e analizuara nga organizata “Rethink Mental Illness”

Rastet e psikozës janë shtuar theksueshëm gjatë dy vjetëve të fundit në Angli, pasi që një numër përherë më i madh i njerëzve kanë përjetuar halucinacione dhe mendime deluzionale shkaku i stresit të akumuluar gjatë pandemisë së COVID-19.

Të dhënat e përmbledhura nga Shërbimi Kombëtar Shëndetësor (NHS) në Britaninë e Madhe kanë treguar për një ngritje deri në 75 për qind të numrit të personave që u referoheshin shërbimeve të shëndetit mendor për episodet e tyre të dyshuara të psikozës, mes prillit të 2019-s dhe prillit të 2021-s, raporton e përditshmja britanike “Guardian”.

Ngritja, sipas këtyre të dhënave, ka vazhduar përgjatë gjithë verës, me ç’rast 12.655 raste janë referuar në shërbimet e shëndetit mendor gjatë korrikut të 2021-s, ndërkaq shifra gjatë korrikut të 2019-s ishte 8.252. Rritja më e madhe është shënuar gjatë vitit të kaluar, pas izolimit të parë kombëtar në Britani, kanë treguar të dhënat e analizuara nga organizata “Rethink Mental Illness”. Më shumë se 13.000 referime janë bërë në maj të 2021-tës, një rritje kjo prej 70 për qind në krahasim me majin e kaluar, kur shifra ishte 7.813 referime.

Organizata që ka analizuar të dhënat ka nxitur Qeverinë në Londër që të investojë më shumë në ndërhyrjen e hershme për psikozë, në mënyrë që të parandalohet përkeqësimi i shëndetit mendor, një gjendje kjo që mund të marrë me vite kohë për t’u shëruar.

“Organizata ka bërë të ditur se statistikat kanë paraqitur dëshmitë e para shqetësuese për t’i treguar nivelet e larta të stresit që kanë përjetuar njerëzit gjatë pandemisë”, ka raportuar “Guardian”.

Një studim i fillimit të këtij muaji ka zbuluar se ankthi dhe depresioni janë rritur në mënyrë dramatike në tërë botën gjatë 2020-s, me ç’rast janë raportuar rreth 76 milionë raste shtesë të ankthit dhe 53 milionë raste të tjera të çrregullimeve të mëdha depresive sesa që do të priteshin po qe se COVID-19 nuk do të shfaqej. Gratë dhe të rinjtë janë prekur në mënyrë disproporcionale, kanë thënë studiuesit.

Simptomat e psikozës shfaqen kur njerëzit nisin të dëgjojnë apo të shohin gjëra që të tjerët nuk i shohin apo dëgjojnë (halucinacione) dhe kur krijohen besime që nuk janë të bazuara në realitet (deluzione), që mund të jenë jashtëzakonisht shqetësuese. Këto mund të jenë simptoma të sëmundjeve mendore, si skizofrenia, bipolariteti apo depresioni i rëndë, mirëpo psikoza mund të jetë kaluese dhe kthyese, që mund të nxitet nga një traumë, stres i madh apo përdorimi jo i rregullt i alkoolit dhe drogave.

Pavarësisht presionit të vazhdueshëm në shërbimet e shëndetit mendor, “Rethink Mental Illness” ka vënë në dukje rëndësinë e qasjes së shpejtë për t’i trajtuar episodet e radhës të psikozës dhe për ta ulur rrezikun që njerëzit të kenë sëmundje të rënda mendore, ka raportuar gazeta britanike.

Sipas udhëzimeve, njerëzit që përjetojnë episodin e parë të dyshuar të psikozës duhet që të ekzaminohen brenda dy javësh. Megjithëkëtë, organizata bamirëse druan se po qe se rritja e referimeve vazhdon, më shumë njerëz do të duhej që të prisnin kohë më të gjatë për trajtim.

Brian Down, zevendëshef ekzekutiv i organizatës “Rethink Mental Illness”, ka thënë se “psikoza mund të ketë ndikim shkatërrues në jetët e njerëzve.

“Qasja e shpejtë në trajtim është jetike, për ta parandaluar përkeqësimin e shëndetit mendor të njerëzve, që mund t’ju marrë vite për t’u shëruar”, ka theksuar ai për “Guardian”. “Këto shifra të larta të episodeve të para të dyshuara të psikozës janë shkak për alarm. Tani jemi shumë përtej goditjeve të para të thella të kësaj krize dhe është thellësisht shqetësuese që numri i referimeve mbetet kaq i lartë. Ndërsa prezantimet e para të psikozës zakonisht ndodhin te të rriturit e rinj, kjo rritje e madhe ngre shqetësime shtesë në lidhje me presionin që brezi i ri është përballur gjatë pandemisë”.

Ai ka shtuar se pandemia e ka ndryshuar shumë shëndetin mendor dhe kjo gjë kërkon reagim revolucionar.

“Fondet e dedikuara shtesë për shëndetin mendor dhe kujdesin social duhet të shkojnë drejt shërbimeve të vijës së parë, në mënyrë që t’u jepet përgjigje kërkesave të reja, përndryshe mijëra njerëz mund të ballafaqohen me diçka katastrofike”, ka thënë Down.

Një zyrtar nga Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social ka thënë se ofrimi i mbështetjes së duhur është jetike.

“Përpos kësaj, kemi investuar 500 milionë funte shtesë për t’u ndihmuar njerëzve, shëndeti mendor i të cilëve ishte prekur posaçërisht nga pandemia. Tërë stafi i NHS-së, që ofron shërbime të shëndetit mendor, ka ofruar ndihmë urgjente 24/7, ku u janë përgjigjur rreth tre milionë thirrjeve gjatë pandemisë”, ka shkruar “Guardian”.

Përgatiti: Liridona Bytyçi