Në kohën kur shkollat janë mbyllur, kampet për fëmijët apo tubimet masive janë ndaluar, me miliona prindër kudo në botë kanë kaluar më shumë kohë me fëmijët e tyre, teksa tani shumë prej tyre punojnë nga shtëpia.
Për shumicën prej tyre, e vetmja mënyrë për t'i mbajtur fëmijët të angazhuar është duke ua lejuar përdorimin për kohë më të gjatë të aparaturave elektronike. Kjo pasi që për ta, ekranet e të gjitha llojeve kanë zënë vendin e mësuesve, dadove dhe kujdestarëve në kampet verore, raporton AP, transmeton KOHA.
“Kam dy fëmijë - njëri është 10 dhe tjetri 12 vjeç. Pra, nuk jam ndryshe nga të tjerët. Si të gjithë prindërit, edhe ne u gjendëm në një situatë kur po punonim nga shtëpia. Po mundoheshim ta menaxhonim pandeminë; kujdeseshim për prindërit që ishin në nevojë të mbështetjes dhe fqinjët që mund të kenë nevojë për ndihmë ... Dhe për shumicën e prindërve, një kompjuter në dhomë për fëmijët e krijon ndjesinë e sigurisë. Realisht, zbuluam se në fakt nuk është kështu”, ka thënë Dalia Hashad, drejtuese e projekteve në organizatën “ParentsTogether”.
Për ta evidentuar kohën e saktë të kaluar përpara ekraneve gjatë verës, organizata me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ndërmori një sondazh. Hulumtuesit ua shtruan këtë pyetje më se 3.000 prindërve amerikanë. Rezultoi se koha që fëmijët kanë kaluar përpara ekraneve ishte rritur për rreth 500 për qind.
“Nga mesi i prindërve që anketuam zbuluam se nga 8 për qind e fëmijëve që kalonin nga 6 orë në ditë apo më shumë në internet, numri ishte rritur për gati edhe një fish. Pra, kishim gjysmën e fëmijëve që kalonin një pjesë domethënëse - nëse jo pjesën më të madhe të ditës - përpara një kompjuteri, tableti, apo telefoni...”, ka thënë Hashad.
-
Fëmijët kaluan 83 minuta më shumë para ekranit gjatë pandemisë
-
A po u shkatërrohet fëmijëria fëmijëve?
-
Shfrytëzimi i duhur i ekraneve nga fëmijët lidhet me përpunim më të mirë të informacionit
-
Ekspozimi i foshnjave ndaj telefonave, ndikon negativisht në zhvillim
-
Alarmon studimi i madh: Ekranet e pajisjeve mund të dëmtojnë zhvillimin e fëmijëve nën 2 vjeç