Vaksina e parë e personalizuar kundër melanomës, kancerit më të rrezikshëm të lëkurës, u testua për herë të parë në pacientin 52 vjeç, Steve Young, në Britani, raporton BBC.
Steve, i cili ka pasur një ndërhyrje për heqjen e një melanome nga lëkura e kokës në muajin gusht të vitit të kaluar, është pacienti i parë që provon vaksinën e personalizuar.
Kjo vaksinë është e dizajnuar të ndihmojë sistemin e tij imunitar që të njohë dhe të heqë çdo qelizë të mbetur koncerogjene. Shpresohet që kjo të funksionojë e kanceri i tij të mos rikthehet më.
Vaksina, mRNA-4157(V940), përdor të njëjtën teknologji si vaksina e tanishme që ekziston kundër Covid-it dhe po testohet për fazën finale, përkatësisht në të tretën fazë testuese.
Doktorët e Spitalit të Universitar në Londër (UCLH) po e japin këtë vaksinë bashkë me një ilaç tjetër që quhet Keytruda, i cili gjithashtu ndihmon sistemin imunitar t’i mbysë qelizat kancerogjene.
Tretmani i kombinuar që u krijua nga kompanitë farmaceutike Moderna, Merck Sharp dhe Dohme (MSD), nuk është ende në dispozicion të përdoret nga Institucionet e Shëndetësisë, jashtë testeve klinike.
Ekspertët shëndetësorë në të tjera vende, përfshirë Australinë, po e testojnë këtë trajtim në pacientë, në mënyrë që të mbledhin më shumë prova dhe të shohin nëse do të duhet të prodhohet më gjerësisht.
Vaksina është e personalizuar, gjë që do të thotë se është komponim kimik individual, i cili nuk do të mund t’u shërbejë pacientëve të ndryshëm. Është e krijuar për të iu përshtatur identitet unik gjenetik të melanomës që ka pacienti dhe funksionon duke e shtyrë trupin të prodhojë më shumë proteina apo antitrupa që sulmojnë markerët apo antigjenët që gjenden vetëm në ato qeliza kancerogjene.
Doktoresha Heather Shaw, studiuese në Spitalin Universitar të Londrës, ka parë se vaksina ka potencial të shërojë njerëzit me melanomë dhe po dëshiron ta testojë këtë vaksinë edhe për trajtimin e kancereve të tjera si ai i mushkërive, fshikëzës urinare dhe tumoreve të veshkave.
“Kjo është gjëja më emocionuese që kemi parë prej shumë kohësh. Është absolutisht e ndërtuar duke u bazuar në gjendjen individuale të pacientit, nuk do të mund të ia japësh pacientit tjetër që pret në radhë sepse nuk funksionon në tjetrin. Është me të vërtetë e personalizuar. Këto gjëra janë jashtëzakonisht teknike dhe të punuara në detaje vetëm për një pacient”, ka thënë ajo.
Mjekët britanikë që po testojnë vaksinën, po duan të rekrutojnë 60 deri në 70 pacientë të vendeve të ndryshme, duke përfshirë Londrën, Manchesterin, Edinburgun dhe Leedsin.
Young aktualisht është duke e marrë vaksinën e tij testuese në Londër dhe ka thënë se është shumë i ngazëllyer.
“Ky është shansi im më i mirë për ta ndaluar prodhimin e qelizave kancerogjene”, ka thënë ai.
Ai pati një gungë në kokë për shume vite para se ta zbulonte se është kancer dhe pasi u diagnostikua tregoi se u shokua tej mase.
“Kalova dy javë duke menduar se vetëm kaq jetë kisha. Babi im ka vdekur nga emfysema kur ishte 57 vjeç dhe po mendoja se do të vdisja në moshë më të re se babi im”, ka treguar Young.
Shenjat e melanomës përfshijnë: nishane abnormale, nishanet ekzistuese që duken sikur po rriten apo ndryshojnë, ndryshime në ndonjë njollë ekzistuese normale në lëkurë.
Të dhënat nga faza e dytë testuese e kësaj vaksine, të cilat u publikuan në dhjetor të vitit të kaluar, treguan se njerëzit që kishin melanoma me rrezik të madh, të cilët e morën vaksinën bashkë me terapinë imunizuese me ilaçin Keytruda, patën 49 për qind më pak shans të vdisnin apo të iu rikthehej kanceri pas tre vjetësh, se sa ata pacientë të cilëve iu është dhënë vetëm ilaçi.
Doktoresha Shaw ka thënë se ka pasur shpresë reale se kjo terapi do të bëjë ndryshime në këtë fushë, veçanërisht sepse ka efekte anësore të pakta si lodhje dhe mpirje e dorës pas dhënies së vaksinës. Ajo gjithashtu ka thënë se simptomat pas marrjes së vaksinës duken disi si grip dhe janë të ngjashme me ato të vaksinës së Covidit.