Sëmundjet e mëlçisë, përfshirë atë të dhjamosjes së saj, prekin miliona njerëz dhe mund të çojnë në komplikime serioze si cirroza dhe kanceri i mëlçisë.
Deri më tani, trajtimet e disponueshme kanë përfshirë kryesisht ndryshime në dietë dhe stilin e jetesës, por një studim i ri ka rritur shpresa të reja për pacientët, duke treguar se operacionet për humbje peshe mund të ndihmojnë në parandalimin e pasojave të rënda të sëmundjeve të mëlçisë, madje edhe te pacientët me cirrozë.
Ky zhvillim ka krijuar optimizëm te mjekët dhe ekspertët, duke sugjeruar mundësi të reja trajtimi për një nga problemet më të mëdha shëndetësore të kohës sonë.
Pothuajse katër në dhjetë të rritur amerikanë, sipas vlerësimeve, vuajnë nga një sëmundje e mëlçisë që mund të çojë në komplikime serioze dhe madje vdekje.
Kjo sëmundje është e njohur si sëmundja e mëlçisë së dhjamosur, dhe shpesh kalon pa u diagnostikuar derisa pacienti të ketë arritur në shkallë të avancuar të dëmtimit të mëlçisë, të quajtur cirrozë.
The New York Times ka shkruar se derisa kohët e fundit, mjekët mund të ndërhynin vetëm me këshilla për ndryshime në dietë dhe stilin e jetesës, për të ndihmuar pacientët të menaxhonin problemet si diabeti ose kolesteroli i lartë, tani një studim premtues tregon se operacioni për humbje peshe mund të ulë mundësinë e komplikimeve serioze, madje edhe te disa pacientë me cirrozë.
Në këtë studim, të botuar në Nature Medicine, studiuesit kanë shqyrtuar të dhënat e pacientëve me obezitet dhe cirrozë të lidhur me një formë të avancuar të sëmundjes së mëlçisë së dhjamosur, të quajtur steatohepatiti i lidhur me mosfunksionimin metabolik (MASH).
Obeziteti është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për MASH.
Pas 15 vjetësh, pacientët që i ishin nënshtruar operacionit për humbje peshe kishin 72% më pak mundësi të zhvillonin komplikime të rënda, siç është kanceri i mëlçisë, krahasuar me pacientët që nuk kishin kryer operacion.
Ky studim, së bashku me hulumtime të tjera mbi përfitimet e ilaçeve për humbjen e peshës, u ka dhënë mjekëve shpresë të re për trajtimin e sëmundjes së mëlçisë së dhjamosur.
MASH fillon me grumbullimin e yndyrës në mëlçi. Te disa pacientë, kjo shkakton inflamacion dhe fibrozë të mëlçisë.
Studimet kanë treguar se humbja e peshës mund të ndihmojë në shërimin e fibrozës dhe përmirësimin e rezultateve afatgjata për pacientët. Por kërkimet mbi cirrozën ishin shumë më të kufizuara.
“Shumë njerëz mendojnë se cirroza është një dënim me vdekje, por të dhënat e reja sugjerojnë të kundërtën”, ka thënë doktoresha Rotonya Carr, drejtoreshë e degës së gastroenterologjisë në Universitetin e Washingtonit.
Në studimin e ri, studiuesit në Cleveland Clinic rishikuan rekordet e pacientëve dhe identifikuan 168 të rritur me obezitet dhe cirrozë të shkaktuar nga MASH. (Cirroza mund të shkaktohet gjithashtu nga përdorimi afatgjatë i alkoolit si dhe hepatiti).
Studiuesit kanë përfshirë vetëm pacientë që kishin cirrozë të “kompensuar”, që do të thotë që ata nuk kishin zhvilluar komplikime të mëdha nga ajo.
Ndër pacientët që kishin kryer operacion, 21% kishin pasur të paktën një “çrregullim të rëndë të mëlçisë” pas 15 vjetësh, krahasuar me 46% të pacientëve që nuk kishin kryer operacion.
Këto çrregullime përfshinin grumbullimin e lëngjeve, konfuzionin nga helmimi i trurit, gjakderdhje nga venat e ezofagut dhe kancerin e mëlçisë.
Doktori Ali Aminian, drejtor i Institutit Bariatrik dhe Metabolik në Cleveland Clinic dhe autori kryesor i studimit, ka thënë se ky studim sugjeron se “humbja e madhe dhe e qëndrueshme e peshës mund të parandalojë pasojat e MASH, madje edhe te disa nga pacientët më të sëmurë”.
Ky studim nuk u financua nga prodhuesit e ilaçeve ose pajisjeve mjekësore, por Aminian ka konsultuar më parë kompanitë që prodhojnë ilaçe për humbjen e peshës dhe pajisjeve të përdorura në kirurgjinë bariatrike.
Droktoresha Vandana Khungar, profesoreshë e mjekësisë në Universitetin e Yale, ka theksuar se pacientët me cirrozë janë në rrezik më të lartë për komplikime nga operacionet.
“Por rezultatet e këtij studimi ishin mbresëlënëse, sepse treguan se disa pacientë mund të kenë rezultate të mira të sigurisë dhe rezultate të shkëlqyera të mëlçisë pas operacionit”, ka thënë Khungar, e cila nuk ishte e përfshirë në studim.
Studimi ka disa kufizime pasi mbështetet në të dhënat e ish-pacientëve, në vend që të ndjekë pacientët e tanishëm në grupe trajtimi dhe të monitoruar me kohë. Po ashtu, madhësia e mostrës ishte e vogël dhe përfshinte kryesisht pacientë të bardhë.
Ani pse studiuesit u përpoqën të merrnin parasysh faktorët që mund të ndikojnë në të dhëna, është e mundur që pacientët në dy grupe të ishin të ndryshëm në disa aspekte të rëndësishme.
Megjithatë, ekspertët janë shprehur optimistë për rezultatet e këtij studimi, veçanërisht nëse ilaçet për humbjen e peshës tregojnë efekt të ngjashëm edhe në cirrozë.
Në muajt e fundit, disa prova të para për ilaçet për humbjen e peshës kanë treguar se pacientët që përdorin këto ilaçe shpesh kanë parë përmirësim të simptomave të MASH, duke përfshirë inflamacionin e mëlçisë.
Rezultatet e para nga një studim i ilaçeve semaglutideve (njohur me emrat tregtarë Ozempic dhe Wegovy), të prezantuara në një konferencë mjekësore në muajin dhjetor, kanë treguar efekte të dukshme: 63% e pacientëve që përdorën ilaçin panë që MASH i tyre u zhduk, krahasuar me 34% të atyre që morën placebo.
Pacientët që përdorën semaglutide gjithashtu kishin më shumë mundësi të shihnin që fibroza e tyre, që është e kategorizuar nga shkalla 0 deri në 4, të bie të paktën për një shkallë.
Asnjë nga këto prova nuk e ka studiuar efektin e ilaçeve për humbjen e peshës në cirrozë, e cila konsiderohet fibrozë në stadin 4.
Por ekspertët janë optimistë se trajtime më të mira për të mund të jenë në horizont.