Pijet alkoolike, edhe në sasi të vogla, mund të rrisin rrezikun e demencës më vonë në jetë, sipas një studimi të ri që sfidon gjetjet e mëparshme, ka raportuar CNN.
Disa hulumtime të mëhershme kanë sugjeruar se pirja e lehtë, më pak se shtatë gota në javë, mund të ketë efekt mbrojtës për trurin, krahasuar me moskonsumimin e alkoolit fare. Por autorët e studimit të ri kanë theksuar se ato analiza shpesh nuk dallonin mes ish-alkoolistëve dhe atyre që kurrë nuk kanë konsumuar, çka mund të ketë shtrembëruar rezultatet.
Studimi i fundit, i botuar të martën në revistën BMJ Evidence-Based Medicine, përdori metodë të avancuar gjenetike për të analizuar efektet e alkoolit në tru.
“Analizat gjenetike kanë treguar se edhe sasitë më të vogla të alkoolit mund të rrisin rrezikun e demencës. Ky është studimi më i madh në këtë temë, dhe kombinimi i analizave vëzhguese me ato gjenetike ishte i rëndësishëm”, ka thënë autorja kryesore e studimit Anya Topiwala, hulumtuese në Departamentin e Psikiatrisë në Universitetin e Oksfordit.
Metoda e përdorur, e quajtur randomizim Mendelian, ndihmon të shmanget ndikimi i faktorëve të tjerë që mund të prishin rezultatet dhe vlerëson efektin e akumuluar të alkoolit gjatë gjithë jetës, jo vetëm në moshë të mesme apo të vonë.
“Ky është një studim mjaft kompleks që ofron disa, por jo prova përfundimtare, se alkooli dëmton trurin pavarësisht sasisë së konsumuar”, ka thënë neurologu Richard Isaacson, drejtor i studimeve në Institutin e Sëmundjeve Neurodegjenerative në Florida, i cili nuk ishte pjesë e studimit.
Ai ka shtuar se në praktikën e tij klinike, njerëzve me variantin gjenetik APOE4, faktori më i zakonshëm gjenetik që rrit rrezikun e Alzheimerit, u rekomandohet të mos konsumojnë aspak alkool.
Sipas Isaacson, për personat me rrezik më të ulët gjenetik varet edhe “kur” dhe “si” pinë.
“Dy gota para gjumit, me stomak bosh, disa net radhazi, do të kenë efekt më të dëmshëm për shëndetin e trurit sesa një gotë disa herë në javë gjatë një darke të hershme”, ka thënë ai.
Studimi ka analizuar të dhënat e UK Biobank me rreth 560 mijë pjesëmarrës dhe të Million Veteran Program në SHBA. Në pjesën vëzhguese, njerëzit që konsumonin pak alkool (më pak se 7 gota në javë) kishin rrezik më të ulët nga demenca sesa ata që pinin shumë (më shumë se 40 gota në javë).
“Megjithatë, ata që nuk pinë dhe ata që deklaruan se kurrë nuk kishin pirë, kishin rrezik të ngjashëm me alkoolistët e rëndë”, ka thënë Tara Spires-Jones, profesoreshë në Universitetin e Edinburgut.
Kur u krahasuan shënuesit gjenetikë të lidhur me alkoolin tek 2.4 milionë njerëz, rezultatet ishin më të qarta: sa më e lartë prirja gjenetike për konsum, aq më i madh rreziku për demencë.
“Ka rritje prej 15 për qind të rrezikut për demencë te njerëzit që pinë 3 gota në javë, krahasuar me ata që pinë vetëm 1 gotë në javë”, ka thënë Topiwala.
Rritja e dyfishtë e rrezikut gjenetik për varësi nga alkooli u shoqërua me rritje prej 16 për qind të rrezikut për demencë.
“Edhe pse asnjë pjesë e studimit nuk mund të provojë përfundimisht se alkooli shkakton demencë, rezultatet shtojnë një sasi të madhe provash që e lidhin konsumimin e alkoolit me rrezikun e rritur. Për më tepër, hulumtimet bazë në neuroshkencë kanë treguar se alkooli është drejtpërdrejt toksik për neuronet e trurit”, ka thënë Spires-Jones.