Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Normaliteti është ende shumë larg sipas shkencëtarëve në Angli

Një anëtar i Grupit Këshillues për Emergjenca (SAGE) i Qeverisë së Britanisë ka paralajmëruar se kthimi në jetën normale “është ende shumë larg”.

Raporti i bërë nga ky grup këshillues është në kundërshtim me deklaratat e kryeministrit Boris Johnson se Britania mund t’i kthehet jetës normale sikur para pandemisë deri në Kërshëndellat e ardhshme. Profesori John Edmund, i cili është pjesë e këtij ekipi të shkencëtarëve ka thënë: “Fatkeqësisht mendoj që kemi një rrugë të gjatë përpara se t’i kthehemi normalitetit”.

Duke folur për BBC-në, Edmund tha: “Nëse flasim për normalitetin, mendojmë për jetesën ashtu si ka qenë deri në shkurt të këtij viti, pra kemi shkuar në punë normalisht, kemi udhëtuar me autobusë dhe trena, kemi shkuar nëpër pushime pa kufizime, kemi takuar miq, përqafuar njëri-tjetrin etj, fatkeqësisht, ky normalitet është shumë larg nesh”.

“Nuk do të jemi në gjendje t’i kthehemi normalitetit që kemi pasur deri sa nuk të jemi imunë ndaj virusit, që do të thotë vaksinim i sigurt dhe efektiv. Nëse i kthehemi sjelljeve normale siç i kemi pasur para pandemisë, virusi do të kthehet sërish”, ka shtuar ai.

I pyetur nëse do ta përqafonte gjyshen e tij, ai ka thënë jo, transmeton KOHA.

Në Britani, deri më tash janë shënuar mbi 45 mijë të vdekur nga COVID-19 dhe gati 300 mijë raste pozitive.