Lifestyle

Ndikimi i hormoneve në mendjen e njeriut

ndryshimet hormonale

Ndryshimet hormonale

Hormonet janë thelbësore për funksionimin normal të trupit, por ato ndikojnë fuqishëm edhe në trurin dhe gjendjen emocionale të njeriut, ndonjëherë në mënyrë pozitive, por shpesh edhe negative.
Shumë njerëz mendojmë se mund t’i kontrollojnë emocionet plotësisht, por në fakt, trupit të njeriut i japin urdhra kimikë që quhen neurotransmetues dhe hormone. Këto molekula përcjellin sinjale në çdo pjesë të trupit dhe ndikojnë edhe në mënyrën si ndiejmë, mendojmë dhe reagojmë.

“Hormonet ndikojnë realisht në humorin dhe emocionet tona. Ato e bëjnë këtë duke ndërvepruar me neurotransmetuesit që prodhohen në trurin tonë, por edhe duke ndikuar në procese si vdekja e qelizave apo krijimi i neuroneve të reja”, ka shpjeguar profesoresha e psikologjisë në Universitetin e Otavës, Nafissa Ismail, ka raportuar BBC.

Hormonet dhe shëndeti mendor

Në trupin e njeriut janë identifikuar mbi 50 hormone, të cilat kontrollojnë qindra procese, që nga rritja e trupit, gjumi dhe zhvillimi, deri te mirëqenia mendore. Studimet tregojnë se periudhat e ndryshimeve hormonale të mëdha shpesh përkojnë me rritjen e çrregullimeve të shëndetit mendor si depresioni, ankthi apo stresi post-traumatik.

Kjo shihet veçanërisht te gratë. Deri në fëmijëri, vajzat dhe djemtë kanë pothuaj të njëjtin rrezik për depresion, por gjatë adoleshencës, për shkak të ndryshimeve hormonale, vajzat bëhen dyfish më të prira ndaj depresionit, dhe ky dallim vazhdon gjatë gjithë jetës.

Në ditët para ciklit menstrual, nivelet e hormoneve estrogjen dhe progesteron bien ndjeshëm, duke shkaktuar nervozizëm, lodhje, trishtim apo ankth. Në disa raste, këto ndryshime çojnë në një gjendje më të rëndë të quajtur çrregullim disfiorik para-menstrual (PMDD), që shoqërohet me luhatje ekstreme humori e madje edhe mendime vetëvrasëse.

“Për shumë gra me PMDD, është një problem i përsëritur çdo muaj dhe mund të ndikojë thellë në jetën e tyre”, ka thënë Liisa Hantsoo, profesoreshë e psikiatrisë në Universitetin Johns Hopkins.

Nga ana tjetër, gjatë ovulacionit, nivelet e larta të estrogjenit lidhen me ndjenja mirëqenieje dhe lumturie, ndërsa një substancë e quajtur allopregnanolone (që vjen nga progesteroni) ka efekte qetësuese.

“Nëse i japim dikujt një injeksion me allopregnanolone, ajo relaksohet”, ka shtuar Hantsoo.

Gjendja pas lindjes së fëmijës dhe menopauza

Ndryshimet hormonale nuk ndodhin vetëm gjatë ciklit menstrual. Ato janë të forta edhe gjatë shtatzënisë, periudhës pas lindjes së fëmijës, perimenopauzës dhe menopauzës. Rreth 13 për qind e grave pas lindjes përjetojnë depresion, për shkak të rënies së menjëhershme të estrogjenit dhe progesteronit.

“Problemi shpesh nuk është niveli i saktë i hormoneve, por kalimi i shpejt nga nivele të larta në të ulëta, apo anasjelltas. Disa gra janë më të ndjeshme ndaj këtyre luhatjeve, ndërsa të tjera e kalojnë menopauzën pa ndonjë vështirësi”, ka thënë Liisa Galea, profesoreshë e psikiatrisë në Universitetin e Torontos.

Edhe burrat përjetojnë ndryshime hormonale, sidomos me uljen graduale të testosteronit me kalimin e moshës.

“Vërejmë ndryshime në humorin e disa meshkujve me rënien e testosteronit, dhe ky është një aspekt që shpesh injorohet”, ka theksuar Ismail.

Pse ndodhin këto ndryshime?

Një mënyrë se si hormonet ndikojnë në tru është përmes neurotransmetuesve si serotonina dhe dopamina. Nivelet e ulëta të serotoninës lidhen me depresionin, dhe disa estrogjene e rrisin ndjeshmërinë e receptorëve të saj. Studimet tregojnë gjithashtu se estrogjeni ndihmon në mbrojtjen e neuroneve dhe në krijimin e të rejave në pjesën e trurit që quhet hipokampus, e rëndësishme për kujtesën dhe emocionet.

“Oestrogjeni është neurombrojtës, pra nxit krijimin e neuroneve të rinj. Kjo është arsyeja pse gjatë menopauzës, kur nivelet e tij bien, shohim probleme si ‘mjegulla e trurit’ dhe vështirësi me kujtesën”, ka shpjeguar Ismail.

Kur stresi shkatërron trurin

Një tjetër sistem hormonal i rëndësishëm është aksi aksi hipotalamus-gjëndër e hipofizës-gjëndra mbiveshkore (HPA), që kontrollon reagimin e trupit ndaj stresit. Kur jemi të stresuar, truri çliron hormonin ACTH, i cili nxit gjëndrat mbiveshkore të prodhojnë kortizol, hormonin e stresit.

Në afat të shkurtër, ky mekanizëm na ndihmon të përballemi me situatën. Por nëse stresi është i vazhdueshëm, trupi mbushet me kortizol, gjë që dëmton qelizat e trurit.

“Nëse stresi zgjatë, sistemi bëhet shkatërrues për trurin”, ka thënë Hantsoo.

Me kalimin e kohës, kortizoli vret neuronet e hipokampusit dhe ndikon në kujtesë, përqendrim e humor.

Hormonet e tjera që ndikojnë në tru

Hormonet e tiroides (T3 dhe T4) ndikojnë në zemër, temperaturë dhe energji, por edhe në humor. Kur tiroidja është tepër aktive, shkakton ankth, kurse kur është e ngadalshme, shkakton depresion.

“Kur pacientët ankohen për ndryshime humori, gjëja e parë që bën mjeku është të kontrollojë hormonet, sepse shpesh, duke i rregulluar ato, përmirësohet edhe gjendja emocionale”, ka shpjeguar Ismail.

Rrugë të reja trajtimi

Zbulimet e reja po ndihmojnë në zhvillimin e trajtimeve më të përshtatura. Një ilaç i ri i quajtur Brexanolone, që imiton hormonin allopregnanolone, ka treguar rezultate të shkëlqyera kundër depresionit pas lindjes.

Gjithashtu, disa studime tregojnë se terapia me estrogjen apo testosteron mund të përmirësojë efektin e antidepresantëve në disa pacientë. Por te disa gra, kontraceptivët hormonalë ose trajtimet hormonale mund ta përkeqësojnë gjendjen, duke treguar se trupi i secilit reagon ndryshe ndaj hormoneve.

“E dimë që hormonet ndikojnë në humor dhe shëndet mendor. Por ende nuk e dimë saktësisht si ndodh kjo. Vetëm kur ta kuptojmë këtë mekanizëm, do të mund të krijojmë trajtimet e duhura”, ka thënë Ismail.

Sipas saj, kjo është arsyeja pse edhe antidepresantët aktualë nuk funksionojnë njësoj për të gjithë njerëzit.

“Disa studime tregojnë se te adoleshentët janë më pak efektivë, prandaj duhet të kuptojmë se çfarë ndodh në atë fazë të zhvillimit të trurit që i bën ata më rezistentë ndaj trajtimit”, ka thënë Ismail.