Meduza (kandili i detit) është një nga delikatesat aziatike, por në pjesët e tjera të botës ajo nuk konsumohet aq shumë. Kjo kafshë e ka formën e një ombrelle të hapur dhe karakterizohet nga të qenit jargore, e pashije dhe helmuese.
Megjithatë, rritja e popullsisë botërore dhe nevoja për ta reduktuar konsumin e mishit dhe të ushqimeve të tjera që kërkojnë shumë energji për prodhim, do të thotë se njerëzimi duhet të gjejë mënyra të ndryshme dhe kreative për t’u ushqyer.
Si duket meduza është një nga kandidatët e parë për t'u bërë ushqim bazë në të ardhmen, kryesisht për shkak se ka shumë sish në oqeane dhe dete, transmeton Koha.net. Peshkimi i tepërt i peshqve e zvogëlon sasinë e ushqimit tradicional të detit, ndërsa meduza është në dispozicion dhe vjen në tufa dhe shumohet shpejtë. Numri i meduzave në të ardhmen vetëm sa do të rritet dhe për këtë ka një arsye të mirë.
Meduzat do të jenë gjithnjë e më të shumta në numër, për shkak të ndryshimeve klimatike që i bën oqeanet të bëhen më të ngrohta dhe më acidike. Ekipi i shkencëtarëve danezë e ka shpikur një mënyrë për t’i bërë meduzat jargore të bëhen çips krokant për vetëm disa ditë.
Kjo është në kontrast të madh me mënyrën tradicionale të përgatitjes së meduzave në mënyrën aziatike, duke e marinuar në ujë të kripur dhe kalium që zgjatë me javë. Por kjo sigurisht është kështu për shkak se nuk do të na pëlqente meduza e thartuar për konsum të shpeshtë.
Me ndihmën e dy mikroskopëve danezët e kanë studiuar mënyrën me të cilën fijet nga të cilat përbëhen meduzat ndryshojnë dhe se si kjo kafshë nga një teksturë e butë dhe gome bëhet e fortë dhe krokante. Studimi u prezantua kohët e fundit në Biophysical Society Meeting 62 në San Francisko.
“Provova të haja meduzë, sepse doja ta kuptoja transformimin nga xhelatina e butë në një çips krokant që mund të hahet. Me ndihmën e etanolit kemi bërë çips nga meduza i cili ka cilësi krokante dhe potencialisht mund të bëhet gastronomisht interesante”, tha Mathias P. Clausen, postdoktorant në Universitetit Southern Denmark në Odense.
Këto krijesa të detit janë të pasura me lëndë ushqyese, përfshirë vitaminën B12, hekurin, magnezin dhe kanë shumë pak kalori. Sa më shpejt që të arrijmë t'i shndërrojmë ato në burime të pranueshme të ushqimit, aq më mirë, përcjell Koha.net. Dhe peshkatarët janë në mesin e atyre që mezi po presin t’i eliminojnë, për shkak se ato përbëjnë kërcënim për tufat e peshkut kudo në botë, sidomos për faktin se do të jenë gjithnjë e më shumë në numër.