Lifestyle

Kandili i detit pa tru befason shkencëtarët

Një lloj i veçantë i kandilit të detit edhe pse nuk ka tru qendror, ka dalë se është organizëm që mund të mësojë shpejt dhe t’i ruajë informatat, sikurse njerëzit, ka zbuluar një hulumtim i ri.

Siç shkruan CNN, studimi ka konstatuar se kandilat e detit janë më të avancuar se sa është menduar më parë.

Studiuesit - në të cilin ishin të përfshirë edhe ata të Universitetit të Kopenhagës në Danimarkë - trajnuan kandilin e Karaibeve (Tripedalia cystophora) për të mësuar aftësitë për njohje dhe shmangie të pengesave.

Studimi, i botuar javën e kaluar në revistën ‘Current Biology’, zbuloi se pavarësisht se kandilat e detit kishin vetëm një mijë qeliza nervore dhe s’kanë tru, mund ta fitonin aftësinë për të shmangur pengesat.

Gjetjet e reja, sipas studiuesve, sfidojnë nocionet e mëparshme se mësimi i avancuar kërkon tru të centralizuar dhe hedh dritë mbi rrënjët evolucionare të të mësuarit dhe kujtesës.

Me një trup si zile, jo më të madh se një thua, kandili i detit mbijeton në moçale duke përdorur strukturën komplekse me 24 sy për të notuar përmes ujërave të turbullta dhe për t’u endur rreth rrënjëve nënujore të pemëve për ta parë prenë e vet.

Gjetjet sugjerojnë se kandili i detit mund të mësojë nga përvoja nëpërmjet stimujve vizualë dhe mekanikë edhe pse nuk zotërojnë tru qendror.

“Për neuroshkencën është lajm goxha i madh. Ofron perspektivë të re në atë që mund të bëhet përmes sistemit të thjeshtë nervor”, ka thënë autori i studimit, Anders Gram nga Universiteti i Kopenhagës.