Pas mbrëmjes së parë me tri koncerte, që kishin mbushur hapësirën e “Sallës së Kuqe” të Pallatit të Rinisë me energji dhe përqendrim, dy net më vonë, të premten mbrëma, në po të njëjtën sallë edhe është përmbyllur interpretimi i “Ciklit të plotë të koncerteve për piano” të Ludwig van Beethovenit që shpesh konsiderohen si kulmi i pjekurisë artistike të kompozitorit. Megjithëse interpretimet kanë sjellë ndjeshmëri të ndryshme dhe qasje individuale ndaj veprës së Beethovenit, mbrëmja ka bërë të dukshme edhe sfidat që vijnë kur energjia artistike ndeshet me kërkesat teknike të veprave dhe ndonjë rrëshqitje note
Me “Koncertin nr. 3 në C-mol” dhe “Koncertin nr. 5 në Es-dur”, Filharmonia e Kosovës, ka përmbyllur ciklin e koncerteve për piano të kompozitorit gjerman Ludwig van Beethoven, i cili ka qenë një nga përpjekjet më ambicioze të këtij institucioni në vitet e fundit. Ekzekutuar në Kosovë për herë të parë si cikël i plotë, në dirigjim të Peter Valentoviqit, ky projekt ka shtrirë për dy net një rrugëtim që pasqyron evolucionin e kompozitorit nga periudha klasike deri në shpërthimin e romantizmit të hershëm.
Pas mbrëmjes së parë me tri koncerte, që kishin mbushur hapësirën e “Sallës së Kuqe” të Pallatit të Rinisë me energji dhe përqendrim, dy net më vonë, të premten mbrëma, në po të njëjtën sallë edhe është përmbyllur interpretimi me pjesët që shpesh konsiderohen si kulmi i pjekurisë artistike të kompozitorit. Në rolin e solistëve, pianistët Lirika Pula dhe Misbah Kaçamaku kanë bartur mbi supe përgjegjësinë e mbylljes së një cikli që në vetvete përfaqëson një formë dialogu ndërmjet individit dhe orkestrës.
Pamjet nga skena e Prishtinës dëshmojnë përgatitjen e kujdesshme të orkestrës, e cila në këtë rast është vendosur në një dialog të pandërprerë me pianistët.
“Koncerti për piano nr. 3 në C-mol” është kompozuar në periudhën e mesme të karrierës së kompozitorit, kur stili i tij tashmë ishte pjekur dhe vërehej plotësisht formësimi i zërit të vet origjinal, ndryshe nga dy të parët që kishin më shumë një ndikim nga muzika klasike. Me përfshirjen e tri tempeve të interpretimit – “Allegro con brio”, “Largo” dhe “Rondo: Allegro” – ka një karakter më tragjik dhe heroik. Konsiderohet dramë dhe konflikt shpirtëror me një kalim drejt dritës dhe pajtimit.

Pianistja që e ka interpretuar këtë koncert, Lirika Pula, ka konsideruar se sfida qëndron në përkushtimin ndaj veprës, më shumë sesa në nivelin e përgatitjes.
“Cilësohet si një nga koncertet që Beethoveni e ka bërë në kohën e vet të hershme, më vonë – katër dhe pesë – janë koncertet që janë pak më të komplikuara në formë dhe me gjithçka të re që ai ka sjellë. Për mua nuk ka qenë jashtëzakonisht i vështirë për t’u përgatitur, gjithsesi, vështirësia qëndron tek ideja që duhet të gjesh kohën për të ushtruar, për të studiuar e për ta mësuar”, ka thënë pianistja, e cila në “Koncertin nr. 3” ka sjellë qartësi strukturale dhe përmbajtje emocionale të matur, duke ruajtur komunikimin e natyrshëm me orkestrën.
Pjesa e dytë – përmbyllëse e mbrëmjes dhe e ciklit – ka sjellë Misbah Kaçamakun me interpretimin e “Koncertit nr. 5 në Es-dur”, i njohur si “Perandoraku”, vepër që Beethoveni e ka kompozuar në kohën e sulmeve të Napoleonit mbi Vjenën. Me tri tempe të interpretimit – “Allegro”, “Adagio un poco mosso” dhe “Rondo: Allegro” – si simbolikë, ky koncert konsiderohet himn për shpirtin njerëzor, për aftësinë e tij për të qëndruar i fortë, për ta dashur jetën dhe për të gjetur madhështi në vetvete.
Misbah Kaçamaku që për dyzet minuta ka qëndruar pranë pianos, ka konsideruar se ky koncert është “i madh” në llojin e tij, teksa ka theksuar se interpretimi ka qenë pak sfidues për të. E, kjo është vërejtur edhe në interpretim.
“E ndiej veten mirë, e fiton një lloj respekti për veten kur u bie këtyre koncerteve të mëdha. Për piano ka shumë koncerte, por të mëdha janë pesë-gjashtë. Parimisht, secila vepër është e vështirë, por e pesta e ka një përshkrim të mirë. Është koncert që ka pasur shumë risi në të dhe ka qenë pak sfiduese por, a di qysh – po i hyn lojës, tani po përton me dalë”, është shprehur ai.

Për vetë drejtuesit e Filharmonisë, përfshirja e pesë pianistëve vendorë në një projekt të tillë është parë si mënyrë për të ndërtuar një traditë të re bashkëpunimi.
“Këto koncerte veçse janë luajtur prej Filharmonisë së Kosovë nga pianistë vendorë e ndërkombëtarë dhe, e rikthyer në këtë formë ku interpretohen në dy koncerte, ndonëse inicialisht duhet në një koncert të interpretohen, por pastaj thamë se mos është pak ngarkesë. Orkestra ka qenë e jashtëzakonshme, më vjen mirë prej saj që ka arritur ta kalojë një sfidë të tillë”, ka thënë Dardan Selimaj, ushtrues detyre i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës.
Megjithëse interpretimet kanë sjellë ndjeshmëri të ndryshme dhe qasje individuale ndaj veprës të Beethovenit, mbrëmja ka bërë të dukshme edhe sfidat që vijnë kur energjia artistike ndeshet me kërkesat teknike të veprave.
“Çdo vepër ka kornizat, të cilat i përcakton kompozitori. Rrugës, në interpretimin e një vepre masive mund të ketë lëshime ose incidente të vogla, por ato ndodhin edhe në orkestër, por u ndodhin edhe solistëve. Vlerësimi i interpretimit nuk matet me copëza të cilat ndodhin brenda 40 minutash, por ajo shihet si tërësi, si përjetim, si energji, si bashkëpunim mes orkestrës dhe dirigjentit. Është pak më komplekse sesa lëshimi në momente të atypëratyshme dhe të menjëhershme”, ka shtuar Selimaj.
Profesoresha e muzikës, Besa Luzha, ka theksuar kërkesat që kanë secili prej koncerteve, duke i përgëzuar pianistët për guximin.
“Koncertet janë secili më i bukur se tjetri dhe secili me kërkesat e veta. Ajo që më ka bërë përshtypje është që, jo të gjithë pianistët kanë qenë në nivel të veprave e kërkesave që i kanë ato, mirëpo mirë që e kanë marrë guximin dhe që e kanë provuar veten për të interpretuar me Filharmoninë e Kosovës. Po flas për atë nivel, në kuptimin e finesave të vogla që nuk e prishin komplet atë bukurinë e veprës”, ka thënë ajo për KOHËN, duke iu referuar detajeve të interpretimit që kërkojnë përvojë e stabilitet të vazhdueshëm në skenë.
Edhe profesoresha Lejla Pula ka kujtuar se vetë organizimi i ciklit ka qenë sfidë më vete, sidomos për shkak të instrumentit të ri.
“Performanca e dy koncerteve sonte ishte e suksesshme, dhe me këtë u përfundua projekti i paraparë, mjaft ambicioz për interpretimin e pesë koncerteve të Beethovenit për piano dhe orkestër. Njëkohësisht ishte edhe inaugurimi i pianos se re në Sallën e Kuqe. Ka tingëlluar bukur dhe u dha një interpretim me impenjim dhe përkushtim profesional”, është shprehur ajo kur ka folur për pianon e re të Filharmonisë, njëri prej instrumenteve të blera me investimin prej gati një milion eurosh që u finalizua javën e kaluar.
Në mbrëmjen e parë, të mërkurën, ngjarja ishte hapur me “Koncertin për piano nr. 2 në B-dur” nën interpretimin e pianistes Artemida Qarri, kishte vazhduar “Koncerti nr. 1 në C-dur” nga interpretimi i pianistes Jeta Dumnica dhe ishte përmbyllur me “Koncertin nr. 4 në G-dur”, në interpretimin e Pranvera Hoxhës.
Përmbyllja e ciklit ka lënë pas një tablo që ndërthur përkushtimin dhe emocionin me fragmente ku intensiteti dhe preciziteti nuk kanë ecur gjithmonë paralelisht.
E megjithatë, ajo çfarë ka mbetur si përshtypje kryesore është përpjekja kolektive për ta sjellë Beethovenin në një mënyrë që tejkalon vetë notat, dhe vulos procesin e rritjes profesionale dhe shprehjes institucionale.
Filharmonia e Kosovës, me këtë projekt, ka dëshmuar se edhe në kushte të kufizuara teknike dhe logjistike, mund të ndërmarrë nisma që mbeten në kujtesën kulturore të vendit. Ka përmbyllur një “autobiografi” të Beethovenit në formë tingujsh, ku çdo pianist ka lënë një faqe të veten, me gjithë finesat, vështirësitë e ndonjë çast që ndoshta nuk ka ndriçuar plotësisht, por që ka kontribuuar për një rrëfim të përbashkët mbi dashurinë për muzikën klasike.