Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Klonohet majmuni rezus për t’i përshpejtuar hulumtimet mjekësore

Studiuesit kinezë kanë klonuar për herë të parë një majmun rezus, specie që përdoret gjerësisht për hulumtime mjekësore sepse fiziologjia e tij është e ngjashme me njerëzit, raporton “BBC” të martën.

Ata thonë se mund të përshpejtojnë testimin e ilaçeve me këtë, pasi kafshët gjenetikisht identike japin rezultate të ngjashme, duke ofruar siguri më të madhe për prova.

Përpjekjet e mëparshme për ta klonuar një majmun rezus nuk kishin çuar në lindje apo ata ngordhën disa orë pas lindjes.

Një grup i mbrojtjes së mirëqenies së kafshëve ka thënë se është “thellësisht i shqetësuar” nga zhvillimet.

Në klonim, përdoren teknika për të krijuar një kopje identike të një kafshe të vetme.

Edhe Zbulohet një specie e re majmuni Kuriozitet Zbulohet një specie e re majmuni

Kafsha më e famshme e klonuar, delja Dolly, u krijua në vitin 1996.

Shkencëtarët riprogramuan një qelizë nga një dele tjetër për ta kthyer në embrione. Këto embrione më pas i vendosën te nëna surrogate e Dollyt.

Studiuesit kinezë, duke shkruar në revistën “Nature”, kanë thënë se bënë në thelb të njëjtën gjë me rastin e klonimit të një majmuni rezus. Ata thonë se kafsha ka mbetur e shëndetshme për më tepër se dy vjet, duke treguar se procesi i klonimit ishte i suksesshëm.

Doktori Falong Lu nga Universiteti i Akademisë Kineze të Shkencave, tha për BBC News se të gjithë janë shumë të lumtur me rezultatin.

Por, një zëdhënës i organizatës britanike për mbrojtje të kafshëve, RSPCA, ka thënë se organizata beson se vuajtja e shkaktuar te kafshët tejkalon çdo përfitim të menjëhershëm për njerëzit.

Edhe Njerëzit kundër majmunëve: Beteja e Azuminos për bashkëjetesë me natyrën Botë Njerëzit kundër majmunëve: Beteja e Azuminos për bashkëjetesë me natyrën

Majmunët rezus gjenden në natyrë në Azi, nga Afganistani, te India, Tajlanda, Vietnami e Kina. Përdoren në eksperimente për t’i studiuar infeksionet dhe imunitetin.

Majmunët e parë makak u klonuan në vitin 2018, por majmunë rezus janë të preferuar për studiuesit mjekësorë, për shkak të ngjashmërisë së tyre gjenetike me njerëzit.