Selia e brendit të njohur të veshjeve “Levi’s” në Kore ka lansuar xhaketën ikonike me lëkurë ngjyrë kafe, modeli i së cilës daton që nga viti 1935.
“Levi’s”, ka rikrijuar modelin LVC Einstein Jacket, një riprodhim i xhaketës së famshme prej lëkure Menlo Cossack, të cilën, shkencëtari Albert Einsteini e ka veshur për shumë vite, ka raportuar në Instagram, magazina Outlander.
Xhaketa origjinale ishte blerë nga ai në vitin 1935, kur fitoi shtetësinë amerikane.
Në vitin 2016, “Levi’s” e bleu xhaketën origjinale në ankandin Christie’s Auction dhe që nga ajo kohë ajo ruhet në arkivat e selisë së kompanisë në San Francisco.
“Xhaketa origjinale është marrë në vitin 2016 në ankandin Christie’s Auction dhe tani është pjesë e arkivit tonë në San Francsco”, ka njoftuar “Levi’s”.
Ndërkohë në websajtin e Levi's thuhet se Einsteini e dinte mirë që ky brend bën xhaketa të shkëlqyera.
Në vitet e para të qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara, fizicienti legjendar pothuajse jetonte me xhaketën e tyre Menlo Cossack.
Pikërisht për këtë arsye, në website shkruan se Levi’s ka sjellë tani një riprodhim të kufizuar të kësaj xhakete ikonike, të rikrijuar me përpikëri, qepje për qepje, ashtu si origjinali.

Einsteini e mbante këtë xhaketë gjatë gjithë viteve 1930, periudha kur puna e tij mori famë botërore.
Ai e veshi edhe në kopertinën e revistës "Time" në vitin 1938.
Kolegu i tij në Princeton, Leopold Infeld, kujtonte se xhaketa e qëndrueshme prej lëkure “ia zgjidhi problemin e palltos për shumë vite”.
Kjo nuk është hera e parë që “Levi’s” e rikrijon Menlo Cossack Jacket. Herën e fundit, varianti në ngjyrën origjinale kafe të hapur u shit shpejt. Këtë herë, kompania ka prodhuar një seri shumë të kufizuar në lëkurë të zezë të thell, një version që “Levi’s” e imagjinon si xhaketën që Einsteini do të kishte veshur për një mbrëmje në qytet.
“Edhe pas kaq shumë vitesh, xhaketa e Einsteinit e ruan aromën e tij dhe ende mban erë duhani”, ka thënë historiania që punon në “Levi’s”, Tracey Panek.

Me ndihmën e shtëpisë së parfumeve D.S. & Durga në Brooklyn, “Levi’s” ka rikrijuar edhe këtë aromë. Çdo xhaketë shoqërohet me një shishe të këtij parfumi ekskluziv.
“Kjo xhaketë është vetëm një shembull tjetër i produkteve tona që vishen nga njerëz nga të gjitha shtresat, përfshirë edhe shkencëtarin më të shquar të kohës së tij. Jemi të lumtur që po e ndajmë këtë pjesë të historisë me fansat tanë”, ka thënë një ndër përfaqësuesit e “Levi’sit”.