Lifestyle

Kur varësia nga droga nuk kursen as familjet e njohura si ajo e regjisorit Reiner, që e vrau i biri

Varësia nga droga problem edhe per familjet e famshme me mundësi të shumta

Historia e familjes Reiner, regjisorit të Hollywoodit, Rob Reiner dhe gruas së tij Michelle, ka tronditur opinionin publik, jo vetëm për shkak të akuzës së rëndë ndaj djalit të tyre, por edhe sepse pas saj fshihet një realitet që shumë familje e njohin nga afër: varësia nga droga.

Nick Reiner, 32 vjeç, i akuzuar për vrasjen e prindërve të tij, regjisorit të njohur Rob Reiner dhe bashkëshortes së tij Michelle Singer Reiner, kishte kaluar pothuajse dy dekada duke luftuar me varësinë nga substancat narkotike, ka shkruar The New York Times.

Ai kishte hyrë në qendra rehabilitimi 18 herë që në adoleshencë, kishte pësuar sulm në zemër gjatë një fluturimi pas përdorimit të kokainës dhe kishte kaluar periudha dhune, jetese në rrugë dhe rikthime të vazhdueshme te droga.

Lufta e tij me varësinë ishte e njohur publikisht dhe kishte ndikuar thellë te familja. Kjo histori ka prekur shumë prindër amerikanë që kanë përjetuar të njëjtën dhimbje.

Njëra prej tyre është Pattie Vargas nga Kalifornia.

Pattie Vargas, fotografuar nga Constanza Hevia H. për The New York Times

Vajza e saj jetoi në rrugë për shkak të varësisë nga alkooli dhe droga, ndërsa djali i saj zhvilloi probleme serioze me zemrën dhe vdiq në vitin 2017 nga dështimi kardiak, ndërsa ishte i dehur, vetëm një muaj para se t'i mbushte 36 vjeç.

“Si prind, do t’i kisha prerë të dy krahët për t’i shpëtuar fëmijët e mi”, ka thënë Vargas.

Ajo tregoi se kishte marrë kredi të reja dhe përfundimisht humbi shtëpinë për të mbuluar kostot e trajtimeve.

“Kjo është krizë shëndetësore. Nuk është dështim moral dhe as faj i familjes. Është sëmundje”, ka thënë ajo.

Pattie Vargas me të birin, fotografuar nga Constanza Hevia H. për The New York Times

Rreth 50 milionë amerikanë përballen me varësinë nga droga dhe alkooli. Sipas ekspertëve, shumë njerëz kanë nevojë për disa tentativa rehabilitimi para se të hyjnë realisht në proces shërimi. Për disa, kjo pikë nuk arrihet kurrë: mbidoza është shkaku kryesor i vdekjes për amerikanët nga mosha 18 deri në 45 vjeç.

“Është shumë e vështirë të dish nëse dikush do të shërohet apo jo”, ka thënë Colleen Berryessa, profesoreshë në Universitetin Rutgers, e specializuar në studimin e varësisë nga narkotikët.

Edhe pse rastet janë të rralla, përdorimi i drogës dhe problemet mendore të lidhura me të mund të çojnë ndonjëherë në veprime të dhunshme dhe fatale. Megjithatë, prokurorët në rastin e familjes Reiner nuk kanë bërë të ditur nëse përdorimi i substancave ka luajtur rol në vrasje, dhe nuk ka informacione publike për historinë e shëndetit mendor të Nick Reiner.

Si djali i një figure të famshme të Hollywoodit, Nick Reiner dhe familja e tij kishin qasje në trajtimet më të shtrenjta dhe më të avancuara.

“Por kjo nuk garanton gjithmonë shërim”, ka thënë Gary Mendell, themelues i organizatës Shatterproof, i cili humbi djalin e tij 25-vjeçar nga vetëvrasja pas një dekade lufte me varësinë.

Ai ka thënë se i kishte të gjitha burimet që mund të kishte dikush dhe mund të përballonte çdo trajtim. Megjithatë, turpi dhe stigma e shtynë djalin e tij drejt vetëvrasjes.

Edhe Rob Reiner ka folur publikisht për dilemat e prindërimit përballë varësisë.

Në vitin 2015, ai ka thënë për Los Angeles Times se pendohej që nuk e kishte dëgjuar mjaftueshëm djalin e tij, i cili i kishte thënë se një program rehabilitimi nuk po funksiononte për të.

“Ishim të dëshpëruar ani se njerëzit kishin diploma në mur, i dëgjuam ata kur duhej të kishim dëgjuar djalin tonë”, pati thënë ai.

Nick. Reiner, i biri i Rob Reiner, fotografuar nga Associated Press

Ky mendim rezonon edhe me Kathy Strain nga Pensilvania, e cila humbi nipin e saj 27-vjeçar nga një mbidozë opioidesh në vitin 2018.

Sot, ajo drejton programe mbështetëse për familjet që përballen me varësinë dhe thotë se historia e Nick Reiner tregon sa i domosdoshëm është përmirësimi i shërbimeve të shëndetit mendor dhe mbështetja afatgjatë pas rehabilitimit.

Kathy Strain, fotografuar nga Hannah Yoon për The New York Times

“Shpesh na thonë: ‘Ata e zgjedhin këtë jetë’. Por varësia është sëmundje”, ka thënë ajo.

Rebekah Mutch, vajza e Pattie Vargas, është katër vjet në shërim. Ajo thotë se turpi dhe faji e mbajtën larg trajtimit për vite me radhë dhe se e kupton sa e pashpjegueshme mund të jetë varësia, edhe kur ke gjithçka.

“Ai kishte aq shumë mundësi dhe prapë kishte një varësi që nuk mund ta shpjegonte. Të çon në vende shumë të errëta”, ka thënë ajo për Nick Reiner.