Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Kondicioni fizik i ndërlidhur me ankthin

Një studim i kryer nga shkencëtarët britanikë ka treguar se aftësitë e ulëta kardio-respiratore dhe fuqia e pamjaftueshme e muskujve shoqërohen pothuajse përherë me një shëndet më të dobët mendor. Kjo gjë, sipas shkencëtarëve, mund të ndikojë që te disa individë të zhvillohen simptoma të ngjashme me depresionin dhe ankthin.

Analiza e studimit të kryer me më shumë se 150.000 pjesëmarrës ka treguar po ashtu se ushtrimet kardio-respiratore dhe të forcës së muskujve kontribuojnë veçmas në rritjen e shkallës së rrezikut për shëndetin më të dobët mendor.

Ndërlidhja e qartë është evidencuar, kur që të dy këta faktorë janë përfshirë në studim.

Duke i marrë parasysh faktorë si mosha, gjinia, problemet e mëparshme mendore, konsumimi i duhanit, shkalla e të ardhurave, arsimimi dhe dieta, studiuesit kanë dalë me përfundimin se ekziston një lidhje e qartë midis aftësisë fillestare fizike të pjesëmarrësve dhe shëndetit të tyre mendor.

Në mesin e pjesëmarrësve të studimit me kapacitet të ulët kardio-respirator dhe forcë më të dobët të muskujve është vërejtur një shkallë rreziku 98 për qind më e lartë për zhvillimin e simptomave të depresionit, dhe 60 për qind rrezik më i lartë në zhvillimin e atyre të ankthit.

Ushtrimet e strukturuara për përmirësimin e llojeve të ndryshme të aftësisë fizike janë të mira, si për forcën fizike, ashtu edhe për atë mendore.

Një shqetësim të veçantë përbën fakti se në kohën e pandemisë, njerëzit përgjithësisht kanë qenë më pak aktivë dhe se as palestrat, të shumtën e kohës, nuk kanë qenë të hapura.

Aktiviteti fizik është pjesë e rëndësishme e jetës dhe mund të luajë rol qenësor në parandalimin e çrregullimeve mendore. Inkurajues është fakti se aftësia fizike mund të përmirësohet relativisht shpejt – madje brenda më pak se tri javësh.

Kjo mund të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të problemeve të zakonshme mendore, deri në 32.5 për qind.

Artikuj të ngjashëm