Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Jepet shpjegimi për njerëzit që rezultojnë negativë për COVID-19 pavarësisht ekspozimit

Të gjithë e njohim një person që, pavarësisht se e gjithë familja e tyre është prekur me COVID-19, nuk ka rezultuar kurrë pozitiv. Tani shkencëtarët kanë gjetur një shpjegim, duke treguar se një pjesë e njerëzve përjetojnë "infeksion të dështuar" në të cilin virusi hyn në trup, por pastrohet nga qelizat T të sistemit imunitar në fazën më të hershme që do të thotë se testet PCR dhe antitrupat regjistrojnë një rezultat negativ.

Rreth 15% e punonjësve të kujdesit shëndetësor që u gjurmuan gjatë valës së parë të pandemisë në Londër, Angli, dukej se i përshtateshin këtij skenari.

Zbulimi mund të hapë rrugën për një gjeneratë të re vaksinash që synojnë përgjigjen e qelizave T, e cila mund të prodhojë imunitet shumë më afatgjatë, thanë shkencëtarët, raporton Guardian.

Studimi i fundit monitoroi intensivisht punonjësit e kujdesit shëndetësor për shenja të infeksionit dhe përgjigjet imune gjatë valës së parë të pandemisë. Pavarësisht rrezikut të lartë të ekspozimit, 58 pjesëmarrës nuk rezultuan pozitivë për COVID-19 në asnjë moment. Megjithatë, mostrat e gjakut të marra nga këta njerëz treguan se ata kishin një rritje të qelizave T që reagonin kundër COVID-19, krahasuar me mostrat e marra para se të përhapej pandemia dhe krahasuar me njerëzit që nuk ishin ekspozuar fare ndaj virusit.

Studimi sugjeron që një nëngrup njerëzish kishin tashmë qeliza T ë memories nga infeksionet e mëparshme nga koronaviruset e tjerë sezonalë që shkaktonin ftohje të zakonshme, të cilat i mbronin ata nga COVID-19.

Këto qeliza imune "nuhasin" proteinat në makinerinë e riprodhimit - një rajon i COVID-19 i përbashkët me koronaviruset sezonale - dhe te disa njerëz kjo përgjigje ishte mjaft e shpejtë dhe e fuqishme që infeksioni të pastrohet në fazën më të hershme.