Një version në formë pilule i ilaçit që në treg njihet me emrin, Wegovy, i cili është ilaç i sëmundjes së diabetit, e që po përdoret për humbje peshe, ka dal në treg.
Më 22 dhjetor, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar ilaçi e njohur për humbje peshe në formë pilule, duke e bërë atë pilulën e parë të klasës GLP-1 të aprovuar për trajtimin e obezitetit, ka raportuar Time.
Deri tani, pacientët duhej ta injektonin Wegovyn një herë në javë. Me versionin e ri, ata mund ta marrin çdo ditë në formë tablete, me rezultate pothuajse të njëjta: humbje peshe prej rreth 16 -17 për qind të peshës trupore.
“Obeziteti është kthyer në një sëmundje të orientuar drejt konsumatorit. Ne po e përqafojmë këtë realitet”, ka thënë drejtori ekzekutiv i Novo Nordisk, Mike Doustdar, për TIME.
Pilulat e Wegovyt prodhohen tërësisht në Karolinën e Veriut dhe janë në dispozicion në farmaci fizike dhe online në SHBA, në katër doza të ndryshme.
Si prodhohet pilula?
Procesi nis me një lloj tharmi, të njëjtën që përdoret për bukën. Qelizat e saj modifikohen gjenetikisht për të prodhuar semaglutide, substancën aktive që imiton një hormon njerëzor që rregullon oreksin dhe ndihmon njerëzit të ndihen më të ngopur.
Pas fermentimit dhe pastrimit, semaglutide shndërrohet në një pastë që më pas thahet dhe kthehet në pluhur të bardhë, i cili shtypet për të krijuar tabletat.
Rruga drejt pilulës
Semaglutide fillimisht u zhvillua për diabetin dhe u aprovua në vitin 2017 si Ozempic, në formë injeksioni. Versioni oral për diabet, Rybelsus, u aprovua në vitin 2019. Sfida kryesore ishte mbrojtja e ilaçit nga acidi i stomakut.
“Pas gëlltitjes, pilula krijon një mikroambient shkumëzues rreth vetes, si një tabletë Alka-Seltzer. Kjo i jep kohë ilaçit të përthithet para se stomaku të rikthehet në gjendjen normale”, ka shpjeguar Andrea Traina, drejtoreshë në Novo Nordisk.
Për këtë arsye, sipas saj, pilula duhet të merret në mëngjes, me stomak bosh, me pak ujë dhe pa ushqim apo ilaçe të tjera për të paktën 30 minuta.
Konkurrenca dhe çmimi
Novo Nordisk përballet me konkurrencë të fortë nga brendi farmaceutik “Eli Lilly”, e cila po zhvillon një pilulë të ngjashme. Megjithatë, kompania daneze thekson se semaglutide ka përfitime të provuara shtesë për zemrën dhe mëlçinë.
“Po flasim për rreth dy miliardë njerëz në botë që preken nga obeziteti. Aktualisht, ne po arrijmë vetëm një pjesë shumë të vogël të tyre”, ka thënë Doustdar.
Doza fillestare e Wegovyt në pilulë do të kushtojë 149 dollarë në muaj për ata që paguajnë vetë, ndërsa dozat më të larta do të arrijnë deri në 299 dollarë. Për personat me sigurim shëndetësor, çmimi mund të zbresë deri në 24 dollarë në muaj.
Novo Nordisk shpreson që versioni në formë pilule ta bëjë trajtimin më të lehtë, më të përballueshëm dhe më të pranueshëm për një numër shumë më të madh njerëzish.