Gjinekologia Edibe Hoda ka thënë se cikli menstrual te vajzat e reja, sot po e nis shumë më herët se në të kaluarën.
Sipas saj shkaktarët janë të shumtë, por ajo ka theksuar se kujdesi dhe vizitat gjinekologjike janë të domosdoshme.
“Sikur që kujdesemi për shëndetin e dhëmbëve, të flokëve, të lëkurës, është e domosdoshme të kujdesemi edhe për shëndetin riprodhues e seksual të fëmijës. Cikli tani po fillon në mosha shumë të hershme, në praktikën time kam pasur rast kur një vajzë ka qenë me cikël menstrual qysh në moshën 9 vjeçare që ka qenë shqetësuese si për prindin ashtu edhe për ne", tha Hoda në podcastin e radhës “Me Kast” në Glam Radio dhe KTV.
Sipas doktoreshës, po ndodhë një evolucion i fuqishëm në të gjitha fushat e jetës dhe stili i jetesës po e ndikon shumë pjekurinë e hershme të organeve seksuale te vajzat.
"Duke shpenzuar shumë kohë në rrjete sociale fëmijët po e humbin qasjen me realitetin, duke qëndrua gjatë në llaptop apo në telefon po e humbin sensin e ushqyeshmërisë, fëmija po ushqehet keq me ushqime të shpejta, me ushqime jo të shëndetshme, ushqimet e shpejta kanë hormone e ato po qojnë në shtimin e peshës", u shpreh ajo.
Edhe
Si po ndikon ndotja e ajrit te cikli i hershëm menstrual
Gjinekologia thotë se pastaj shtimi i peshës po ndikon në pjekurinë më të shpejtë të organeve seksuale, duke ndikuar kështu edhe në paraqitjen e ciklit të parë menstrual.
Më tutje, Hoda thotë se në Kosovë ka nevojë për një edukim të mirëfilltë seksual te të rinjtë e kjo duhet të bëhet nëpër shkolla, sipas saj fëmijët duhet të mësojnë për seksualitetin në mënyrë që të parandalojnë sëmundjet që mund t’i rrezikojnë ata.
Gjinekologia përveç shëndetit riprodhues të vajzave të reja, tha se është me rëndësi që vazhdimisht të jepen informata për ruajtjen e shëndetit edhe të gratë që kanë arritur moshën e pjekurisë.
"Ne gjejmë kancer të qafës së mitrës edhe te gratë 28-30 vjeçare, duhet të futet një kulturë e përgjithshme, të sensibilizohen gratë. Nuk është keq që edhe në ambulance specialistike të bëhet ndonjë tubim, edhe një mami të njoftoj që njëherë në vit duhet të bëhet një Pap-Test që është jetëshpëtuese".
Madje, Hoda thotë se vaksina për Human Papilloma Virusin është një formë e mirë për të ruajtur shëndetin e grave.
Edhe
Nis vaksinimi i vajzave kundër kancerit të qafës së mitrës
"Unë mendoj që duhet të merren institucionet me këtë çështje dhe ta fusin në listën e vaksinimit, e mira e saj është që jepet te vajzat e vogla 13-16 vjet mundësisht pa marrëdhënien e parë seksuale dhe bëhet rivaksinimi në moshë më të madhe".
Gjinekolgia tha se çdo grua duhet të bëjë vizita rutinore te gjinekologu dhe të mos e neglizhojë shëndetin e saj riprodhues në mënyrë që të evitohen sëmundjet që në të ardhmen mund të rrezikojnë jetën.