Lifestyle

Gjalpi i kikirikut për t’i shtuar shije ushqimit

Arrat, kikirikët, bajamet, arrat braziliane e indiane janë vetëm disa nga frutat arrore që konsumohen e përdorën në secilën kuzhinë.

I shtojnë shije ushqimit, e konsumohen në mënyra të ndryshme. Përpos kësaj i japin edhe vlera ushqyese gatesave që i kanë si përbërës këto fruta.

Një mënyrë më e veçantë e konsumimit të tyre është ajo në formë të gjalpit.

Përgatitja e gjalpit nga frutat arrore është një proces i thjeshtë, por me rezultat tejet të shijshëm.

Përbërja yndyrore e tyre bën që me anë të bluarjes të krijohet një masë e butë me shumë shije e mundësi të madhe të përfshirjes në ushqime.

Më i kërkuari është gjalpi i kikirikut te ne, kjo për shkak të shijes së veçantë e edhe kombinimit me ushqime të tjera si mjaltë, çokollatë e fruta arrore të tjera.

Edhe ata persona të cilën mbajnë dieta e preferojnë gjalpin e frutave arrore, meqenëse i përmbush vlerat ushqyese që duhen konsumuar brenda një ditë.

Frosina Halili nga Bio Boutique tregon që gjalpin e frutave arrore e kërkojnë edhe nënat për fëmijët e tyre të vegjël, meqenëse është më i lehtë për t’u konsumuar.

Gjalpi që përgatitet në kushte shtëpie nuk ka shtesë të sheqerit apo yndyrës artificiale, andaj mund të jetë pjesë e shumë shujtave të përditshme.

Gjalpi nga frutat arrore mund të përgatitet edhe në kushte shtëpie me anë të makinave bluese që kanë më shumë fuqi.