Prindërit duhet t’i përgatisin paraprakisht fëmijët e tyre për vizitën e parë te dentisti. Shpesh herë, përvojën jo të mirë të tyre gjatë jetës në raport me dentistët e bartin pa dashje edhe tek fëmijët e tyre. Kjo patjetër duhet të ndryshojë.
Kështu nis një komunikatë e dentistit Xheladin Ujkani, që këshillon se si duhet të mposhtet frika e fëmijëve ndaj dentistit. Ai thotë se krijimi i raporteve miqësore në mes të dentistëve dhe fëmijëve, është parakusht kryesor për një vizitë stomatologjike të suksesshme. Sipas tij, në këtë drejtim, prindërit duhet të luajnë rolin kryesor.
Ujkani thotë po ashtu se, janë dentistët ata që duhet të tregohen të afërt dhe miqësorë me fëmijët dhe përmes bashkëbisedimit të fitojnë besimin e tyre.
“Vetëm atëherë kur ta fitojnë besimin e fëmijëve, duhet të fillojnë të punojnë. Ndryshe, mundësia për të shkaktuar trauma tek fëmijët është jashtëzakonisht e madhe, sidomos në rastet kur edhe përvoja e përgatitja e dentistëve për punë me fëmijë është jo në nivelin e duhur”, thotë dentisti i fëmijëve Xheladin Ujkani, përcjell Koha.net.
Ai thotë se fëmijët janë të guximshëm dhe të gatshëm për të krijuar raporte miqësore me dentistët.
“Mungon vetëm bashkëpunimi dhe ndërmjetësimi i prindërve”, thotë Ujkani.
Edhe
Fëmijët janë të guximshëm, nxjerrin dhëmbët e tyre pa ndihmën e dentistit
Ai ka publikuar një përmbledhje të videove ku fëmijët shihen duke nxjerrë dhëmbët pa ndihmën e dentistit. Kjo e dëshmon më së miri guximin e tyre, bashkëpunimin dhe raportet miqësore që fëmijët kanë krijuar me dentistin.
Nesër shënohet Dita e Dentistëve.