Fëmijët nuk i kanë shumë në qejf dentistët, por shpeshherë mungesa e kujdesit oral bën që të krijohet kariesi në dhëmbët e tyre, e që atëherë patjetër duhet ndërhyrja e dentistëve.
Por, në kohën e pandemisë së COVID-19 edhe dentistët nuk janë duke punuar në orar të rregullt, andaj ata u kanë kërkuar fëmijëve që në bashkëpunim me prindërit të kujdesen për higjienën orale në mënyrë që të mos kenë probleme me dhëmbë, e në këtë kohë të shmanget vizita tek mjeku.
Stomatologu Xheladin Ujkani, për të qenë më afër pacientëve të vegjël, ka ndërmarrë një nismë që përmes konsultave online do të ndihmohen të tejkalojnë problemet me dhimbje në dhëmbë, raporton Koha.
Ujkani thotë se përmes fotografive që do të dërgohen nga prindërit, ai do të mund të vlerësojë problemin e dhëmbit.
Ai tregon se mosha 5-vjeçare është e vonshme për të pasur vizitën e parë tek mjeku.
Ujkani këshillon që fëmijët gjatë kësaj periudhe të izolimit të ushqehen shëndetshëm, e të mënjanojnë ushqimet me shumë sheqerna e lëngje me gaz.
E fëmijët gjatë kësaj kohe të qëndrimit në shtëpi janë duke i kushtuar rëndësi mirëmbajtjes së dhëmbëve.
Këtë e thotë edhe 8-vjeçarja, Alea Haziri.
Sipas hulumtimit të fundit nga Xheladin Ujkani, nga 165 fëmijë të moshës 2 deri në 8 vjeç, tek të cilët ishin ende të pranishëm shumica e dhëmbëve të qumështit, në mesatare kishin mbi 7 dhëmbë të prishur të qumështit, e që shpeshherë vizitat e tyre të para tek dentisti konsiderohen të vonshme.