Fëmijët e lindur nga nëna që kanë pasur Covid-19 gjatë shtatzënisë, mund të kenë më shumë gjasa të diagnostikohen me autizëm dhe çrregullime të tjera të zhvillimit nervor, sugjeron një studim i ri i realizuar nga Spitali i Përgjithshëm i Massachusetts (Massachusetts General Hospital).
Studiuesit analizuan më shumë se 18 mijë lindje që kanë ndodhur midis muajit mars të vitit 2020 dhe muajit maj të vitit 2021, duke krahasuar fëmijët e nënave që ishin infektuar me Covid-19 gjatë shtatzënisë me ata të nënave që nuk ishin prekur nga virusi, ka raportuar CNN.
Sipas rezultateve, fëmijët e nënave që kishin kaluar Covid-19 kishin dukshëm më shumë gjasa të diagnostikoheshin me një çrregullim neurozhvillimor, mbi 16 për qind kundrejt më pak se 10 për qind të fëmijëve të tjerë, që përkthehet në një rrezik 1.3 herë më të lartë, edhe pasi u morën parasysh faktorët e tjerë të mundshëm të rrezikut.
Studiuesit vunë re se ky rrezik ishte më i lartë te djemtë dhe në rastet kur infeksioni ndodhte gjatë tremujorit të tretë të shtatzënisë. Sipas tyre, kjo periudhë është “dritarja më kritike për zhvillimin e trurit”, dhe truri mashkullor mund të jetë më i ndjeshëm ndaj përgjigjeve imune të nënës.
Diagnozat më të zakonshme përfshinin vonesa në zhvillimin e të folurit dhe të lëvizjeve, si edhe autizmin. Rreth 2.7 për qind e fëmijëve të lindur nga nëna që kishin kaluar Covid-19 u diagnostikuan me autizëm, krahasuar me rreth 1.1 për qind të fëmijëve të tjerë, sipas studimit të publikuar në revistën shkencore Obstetrics and Gynecology.
Autorët i quajtën këto gjetje “domethënëse për shkak të bazës së tyre biologjike”. Ata kanë shpjeguar se infeksioni i nënës mund të ndikojë në zhvillimin e trurit të fetusit edhe pa kaluar drejtpërdrejt te fëmija.
“Ndërgjegjësimi i prindërve për mundësinë e pasojave në zhvillimin neurologjik të fëmijës pas infektimit me Covid-19 gjatë shtatzënisë është kyç. Duke e ditur rrezikun, prindërit mund të kërkojnë vlerësim dhe mbështetje të duhur për fëmijët e tyre”, ka thekuar autorja kryesore e studimit Lydia Shook, doktoreshë në Massachusetts General Hospital
Sipas të dhënave të Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), rreth një në 31 fëmijë në SHBA ishte diagnostikuar me autizëm deri në moshën 8-vjeçare në vitin 2022, rritje nga një në 36 fëmijë në vitin 2020. Ekspertët e lidhin këtë rritje kryesisht me diagnostikim më të mirë dhe vetëdijesim më të madh për çrregullimin.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore ka nisur një “fushatë të gjerë testimi dhe kërkimi” për të kuptuar “shkaqet e epidemisë së autizmit”.
Në një konferencë për shtyp në muajin shtator, presidenti i SHBA-së Donald Trump, i shoqëruar nga sekretari i HHS, Robert F. Kennedy Jr., ka thënë se përdorimi i Tylenol gjatë shtatzënisë “mund të lidhet me rrezik shumë të lartë të autizmit”, megjithëse studimet e deritanishme tregojnë se ilaçi konsiderohet i sigurt. Kennedy më parë ka bërë komente që e lidhin autizmin me vaksinat, pretendime që janë kundërshtuar fuqishëm nga komuniteti shkencor.
Autorët e studimit theksojnë se periudha e analizuar, në fillim të pandemisë, kur vaksinat ende nuk ishin në përdorim të gjerë, u mundësoi atyre të “izolonin lidhjen midis infeksionit me SARS-CoV-2 dhe zhvillimit neurologjik të fëmijëve në një popullatë të pavaksinuar”.
Rreth 93 për qind e grave të përfshira në studim nuk kishin marrë asnjë dozë vaksine kundër Covid-19, ndërsa masat e rrepta të kohës ndihmuan që rastet e padiagnostikuara të mbeteshin të pakta.
“Këto gjetje tregojnë se Covid-19, ashtu si shumë infeksione të tjera gjatë shtatzënisë, mund të paraqesë rrezik jo vetëm për nënën, por edhe për zhvillimin e trurit të fetusit. Kjo nënvizon rëndësinë e parandalimit të infeksionit me Covid-19 gjatë shtatzënisë, sidomos në kohën kur besimi publik te vaksinat është duke u dobësuar”, ka shtuar doktoresha Andrea Edlow, bashkautore e studimit.
 
                    