Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ethet Lassa: Shenjë e pandemisë së re?

Ekspertët kanë vënë gishtin kah ndryshimet mjedisore që e bëjnë më të mundshme shpërndarjen e viruseve. Këtu përfshihen edhe shtimi i popullsisë, zhvillimi i kombeve të pazhvilluara, rritja e tregtisë ndërkombëtare të kafshëve të egra dhe udhëtimet e shumta

Dy britanikë janë diagnostikuar me virusin që shkakton gjakderdhje syve dhe ënjtje të fytyrës – dhe kjo mund të jetë dëshmi e ndryshimit që po vjen në botë.

Vetëm pak orë pasi kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, shpalosi planet për të hequr të gjitha masat kundër COVID-19 të mërkurën në Angli, një alarm i ri pushtoi vendin: dy persona ishin diagnostikuar me ethet Lassa, një sëmundje virale hemorragjike e ngjashme me Ebolan.

Patogjeni – që është endemi në disa shtete, përfshirë Nigerinë, Sierra Leonen dhe Ganan – është më pak vdekjeprurës se ethet hemorragjike si Ebola ose Marbugu. Por është i rrezikshëm. 15 për qind e të hospitalizuarve e humbin betejën me këtë virus.

Simptomat e Lassas nisin më ngadalë, me ethe e lodhje, dhe pas pak ditësh me kokëdhembje, dhimbje muskujsh e të vjella. Në rastet e rënda, virusi shkakton ënjtje të fytyrës, mbushje të mushkërive me lëng e gjakderdhje intensive nga sytë apo hunda. Ende s’ka vaksinë për të.

Arritja e virusit në Britani prej udhëtarëve nga Afrika, nuk pritet të përcillet si shpërthim i madh – kanë paralajmëruar shkencëtarët. Megjithatë, kanë bërë thirrje se kjo duhet të monitorohet.

Edhe OBSH-ja: Lia e majmunëve mund të frenohet Botë OBSH-ja: Lia e majmunëve mund të frenohet

“Fatmirësisht, ky virus s’është as afër i shpërndarshëm sikur patogjenet e tjera”, ka thënë dr. Michael Head, hulumtues i lartë në Universitetin e Southamptonit. “Përderisa rastet Lassa brenda Britanisë janë shqetësim, nuk do të shohim shpërndarje apo diçka të tillë në shkallë të madhe sikur që kemi parë me pandeminë e COVID-19”.

Head vuri theksin te numri (R) i riprodhimit, që përshkruan se sa njerëz mund të infektohen duke e bartur njerëzit virusin te njëri-tjetri. Për Lassan, ky numër parashihet të jetë mes 1 dhe 1.6 – krahasuar me rreth 3 sa ishte për COVID-19 të parë.

Shpërndarja e virusit

Për dallim prej COVID-19, ky virus shpërndahet me kontakt të drejtpërdrejtë të lëngjeve nga njeriu i infektuar, apo kontakti me jashtëqitjen e minjve të infektuar.

Por, teksa faza akute e një epidemie më në fund po zbehet – të paktën tash për tash – rishfaqja e Lassas në Britani është një kujtim i ashpër se bota po hyn në “epokë të re pandemie”, siç e kishte paralajmëruar eksperti kryesor i sëmundjeve në Amerikë, Anthony Fauci, më 2020.

Pandemitë s’janë asgjë e re tashmë. Miliona njerëz kanë vdekur në disa pandemi. Bota është goditur nga murtaja e Athinës, tuberkulozi, kolera, gripi spanjoll e disa të tjera.

Por ideja për epokë të pandemisë është e re – ajo sugjeron se pandemi të mëdha nuk do të ndodhin njëherë në shekull. Gjashtë muaj para shpërthimit të Sars-COV-2, Mike Ryan, drejtor i emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, paralajmëroi se bota po hyn në “normale të re”, kur të shpërthejnë në të njëjtën kohë sëmundje të ndryshme me ndikim të madh.

Pandemitë e ardhshme

Edhe Anglia regjistron dy raste me ethet Lassa, e ngjashme me Ebolën Botë Anglia regjistron dy raste me ethet Lassa, e ngjashme me Ebolën

Ekspertët kanë vënë gishtin kah ndryshimet mjedisore që e bëjnë më të mundshme shpërndarjen e viruseve. Këtu përfshihen edhe shtimi i popullsisë, zhvillimi i kombeve të pazhvilluara, rritja e tregtisë ndërkombëtare të kafshëve të egra dhe udhëtimet e shumta.

Por pandemia e ardhshme nuk do të duket sikur COVID-19. Krahas etheve Lassa, në listën e OBSH-së si patogjenë me potencial për pandemi përfshihen ethet hemorragjike Krime-Kongo, Ebola dhe Marburgu.

“Teksa po dalim nga njëra pandemi, duhet të fokusohemi për patogjenët e ardhshëm”, ka thënë dr. Tom Fletcher, specialist i sëmundjeve infektive në Shkollën Mjekësore në Liverpool.

Për viruset hemorragjike, ai ka shtuar se ka mungesë në zhvillimet shkencore dhe përgjigjet e mundshme ndaj tyre.

“Përderisa s’kemi ilaçet apo diagnozat e duhura, ne nuk i kuptojmë se si funksionojnë këto sëmundje, apo çka shkakton gjakderdhjen te pacienti”, ka thënë ai duke shtuar se pikërisht këto arsye duhet të bëjnë që bota të ketë prioritet gjetjen e përgjigjeve.

Nevoja për gjetjen e kurës është e qartë. Në vitin 2021, Turqia raportoi për një numër rekord rastesh me ethet Krime-Kongo – sëmundje e shkaktuar nga rriqrat, me shkallë fataliteti prej 40 për qind, ndërsa Marburgu, që është shumë më vdekjeprurës, u zbulua për herën e parë në Afrikën Perëndimore verën e shkuar. Shpërthimet e Ebolas, po ashtu, janë në rritje – nga 12 shpërthimet që janë parë në Republikën Demokratike të Kongos që nga viti 1976, gjysma kanë ndodhur pas 2014-s.

Ethet Lassa s’janë të panjohura për Britaninë. Që nga viti 1980 janë regjistruar tetë raste me të.

Sivjet Nigeria ka regjistruar 211 raste të infektimit dhe 40 vdekje.

Edhe Frika për pandemi të reja Botë Frika për pandemi të reja

Sëmundja u identifikua fillimisht më 1969, por shkalla e vërtetë e saj është e panjohur. Rreth 100 mijë deri në 300 mijë raste të sëmundjes dhe 5.000 vdekje besohet të jenë çdo vit, por mbi 80 për qind e tyre janë asimptomatike.

Ribavirini përdoret si ilaç kundër saj, por që duhet të konsumohet në fazë fillestare për të dhënë rezultate, sipas Koalicionit për Parapërgatitje Epidemike.